Dervishi: Moratorium ndërtimesh për dy vjet...Të marrim eurokodet e ndërtimit (jo me tender se fiton ai që njeh ministrin)

2 Dhjetor 2019, 21:28| Përditesimi: 2 Dhjetor 2019, 21:55

  • Share

TIRANË - Konstruktori Arben Dervishi i cili ka ndihmuar qeverinë në ekspertizën e objekteve të dëmtuara nga tërmeti për të parë cilësinë e punimit të tyre, thotë se fajtorë janë të gjitha palët, si shteti, individi, ndërtuesit e projektuesit. Të gjithë duhet të mbajnë barrën që u takon në këtë tragjedi që preku Shqipërinë me shembjen e dhjetëra banesave si pasojë e tërmetit, tha Dervishi i ftuar në emisionin "5 pyetjet nga Babaramo" me gazetarin Ilir Babaramo.

Megjithatë, sipas konstuktorit të njohur, për të gjetur zgjidhje duhet marrë praktika e gatshme nga të huajt. Ai dha rastin e Turqisë, ku tha se edhe në vendin tonë duhet ndaluar ndërtimet për dy vjet deri sa të ndryshohet legjislacioni dhe kushtet e ndërtimit.

"Në këtë tragjedi duhet bërë një bilanc, për të parë ku ishim. Duhet të marrim praktikat më të mira nga bota. Në momentin që ka rënë tërmeti në Turqi, pati 25 mijë të vdekur..Shteti turk morri vendim: Moratorium ndërtimesh për dy vjet. Derisa të ndryshoheshin kushtet teknike të ndërtimit dhe legjislacioni. Dhe tërmetet që ranë më vonë treguan që kishin të drejtë", tha ai, teksa shtoi se në Shqipëri normat e projektimit janë të vitit '89, me teknologjinë e asaj kohe.

"Ne duhet të marrim dhe të aprovojmë normat e reja të projektimit, sot projektohet me norma të projektuara në vitin 1989, me teknologjinë e asaj kohe, të gjitha normat flasin për objekte deri në 6 akte, pjesa tjetër duhet bërë me projektim. Evropa ka kodet e ndërtimit, të projektimit dhe të zbatimit. Ne nuk kemi buxhete të bëjmë kodet tona, por mjafton t'i adoptojmë ato. Të hartojë anekset nacionale. Këtë duhet ta bëjë shteti. Të marrë shkencëtarët dhe t'i paguajë, të marrë specialistët", u shpreh kontruktori teksa tha se kjo nuk duhet bërë me tenderë, pasi në kohën e qeverisë Berisha, dikush tha se njeh ministrin..."dhe akoma nuk është miratuar ai kod, me tender. Për mua nuk duhet të bëhet me tender, duhet ta bëjë shteti", tha ai.

"Inxhinieri elektrik në Shqipëri bën projekte ndërtimi..Në Rrashbull pashë kolona të prera me gërshërë"

Përballë gazetarit Ilir Babaramo, konstruktori i njohur tha se abuzimet janë të shpeshta, dhe sipas tij arrihet deri aty sa edhenjë inxhinierë elektrikë ka arritur të bëjë projektin e një ndërtese.

"Ka edhe inxhinierë elektrike që kanë bërë konstruksione e projekte ndërtimi", tha Arben Dervishi.

Ai thotë se zona më e rëndësishme për të ndërtuar është ajo e ish-Kënetës ku tha se në 180 metra thellësi janë depozitime kënetore që e rrisin forcën sizmike. "Dhe kjo ka ndikuar tek objektet, që shumica janë projekt, pa leje, zbatuar me brigada, me njerëz që thonë hajd se e di unë", shprehet konstruktori në "5 pyetjet nga Babaramo".

"Ka edhe ndërtime informale 5 katëshe, jo vetëm 1-2 katëshe, dhe nuk është një, janë shumë. Janë bërë ndërtime pa projekte, në zona ku nuk lejohej të ndërtohej. Zona e Kënetës është ndër zonat më të rrezikshme për të ndërtuar. Por nuk mund të ndërtosh në Kënetë me themele të veçuara, por me themele në formë pllake", shtoi ai.

Konstruktori Arben Dervishi tregon eksperiencën e tij në një shtëpi në zonën e Rrashbullit. "Unë vizitova zonën e Rrashbullit. Ishte një vilë që kishin hedhur gjithë kursimet e tyre. Pashë që kolonat ishin prerë si me gërshërë. Pyeta për projektuesin thanë na erdhi njëri që bënte kallupe dhe e morëm e bëmë. Nëse nuk ndërhyhet shpejt ajo mund të rrafshohet e gjitha", tha ai.

Konstruktori Arben Dervishi tha në "5 Pyetjet nga Babaramo" se roli më i rëndësishëm është i supervizorit, dhe ai duhet të jetë nga shteti siç përshembull i ka Austria, dhe jo privat.

"Sidomos ku investitori dhe ndërtuesi janë një, e kanë denigruar rolin e supervizorit, i lë vulën dhe vulos vetë ndërtuesi. Një supervizor jep më shumë garanci, edhe në se vëren një lapsus të projektuesit dhe ndërtuesit, ai di ta kapë atë. Ndërtuesi sot nuk e pyet projektuesin duke bërë pallat 11 katëshe kur unë e kam bërë 10 katësh, më ka ndodhur, ndërtuesi ja ka marrë firmën dikujt tjetër. Në Austri ka edhe supervizor shtetëror", tha Dervishi.

Sipas tij, Shqipëria duhet të marrë shembullin e Italisë dhe të ndryshojë legjislacionin dhe të fusë zyrat e kontrollit të projekteve. "Çdo ndërtim e kontrollon shteti, vjen ai i bashkisë dhe të jep lejen të hedhësh beton, bën monitorimin hap pas hapi. Puna e supervizorit nis që në fillim dhe deri në momentin e fundit", tha kontruktori Arben Dervishi.

"Abuzimi vjen nga mungesa e supervizorit....Në Shqipëri mungojnë studimet sizmike"

Sipas tij projektet janë të dobëta edhe për shkak se në zonat ku po ndërtohet mungojnë studimet sizmike. Megjithatë, konsturktori thotë se një projektues i mirë di të dallojë ku është zonë ndërtimi e rrezikshme. Ai thotë se abuzimet bëhen edhe për shkak të mungesës së supervizorëve.

"Cilësia e materialeve të ndërtimit ndikon në fortësinë e strukturës. Dy janë materialet, betoni dhe hekuri, që mbajnë gjithë peshën e strukturës. Pjesa tjetër është strukturë e nivelit të dytë të rezistencës. Një beton e çelik i ardhur i pakontrolluar me rezistenca më të ulëta se ç'tregon marka, patjetër që sjell dëme. Kur ka një supervizor serioz nuk mund të bëhet ai dëm. Abuzimi bëhet në ato vende ku mungon supervizori. Sepse në vendin tonë supervizori trajtohet si më i parëndësishmi. Zona si Durrësi, kanë rrezikshmëri sizmike, dhe kërkohen që studimet sizmike dhe gjeologjike duhej të ishin të detajuara, të sakta, sepse aty janë të dhënat bazë që merr projektuesi. Po në bazë të eksperiencës ai mund të mbulojë shumë defekte edhe në mungesë të studimeve", tha Dervishi.

Dervishi: Projektuesit nuk kanë menduar për jetën! Njerëzit kanë ndërhyrë duke ulur rezistencën

Dervishi thotë se aty ku ka pasur ndërtues seriozë nuk është pësuar asnjë dëm. Por e kundërta ka ndodhur aty ku projektuesit nuk kanë menduar për ruajtjen e jetës së njerëzve, dhe që nuk janë fortësuar muret.

"Në ato vende ku është bërë një projekt serioz, objektet nuk kanë asnjë lloj dëmtimi, ose dëmtime minore që nuk ndikojnë në ruajtjen e jetës. Kur projektohet një objekt me tërmetin maksimal, parashikojmë që në objekt do të ketë dëme materiale, por qëllimi është të ruhet jeta e njerëzve. Fakti që humbën jetë njerëzish nuk e arritën qëllimin për të cilin ishin projektuar. Që do të thotë se projektet kanë pasur mangësi.  Nga verifikimet që kam bërë, kishte objekte që ishin me skelet të padëmtuar por struktura që kishte zgjedhur projektuese ishte e tipit ramë, kolona dhe trarë, ndërkohë në zona të tilla do të ishte e mira të shoqërohej edhe me mure. Objekti nuk kishte dëmtime në strukturë, por në muret jo strukturore.  Kishte objekte me plasaritje të vogla që nuk përbëjnë problem dhe me kosto minimale ndërtohen. Kishte objekte që linte për të dëshiruar cilësia. Në të vjetrat me tulla para viteve '90, njerëzit kanë ndërhyrë. Jo vetëm në Durrës por edhe në Tiranë, në katet e para, garazhet, që i kanë ulur rezistencën objektit", shprehet Arben Dervishi, konstruktor, i ftuar në emisionin "5 Pyetjet nga Babaramo".

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?