Konsumi vijon të jetë në nivel minimal, për shkak të prezencës së pandemisë. INSTAT raporton se inflacioni arriti në 1.1% në muajin shkurt, nivel shumë më i ulët se objektivi i Bankës së Shqipërisë, e cila pret që ky tregues të arrij 3% në fund të vitit 2022.
Por krahasuar me muajin janar inflacioni u rrit, dhe ndikim kryesor ka pasur konsumi i produkteve ushqimore dhe mobilimi i shtëpisë, ky i fundit një trend i ri në mes të pasigurive.
Konkretisht sipas raportit krahasuar me muajin shkurt 2020 çmimet e ushqimeve janë rritur me +3.2%. sa i takon kësaj kategorie shtrenjtimi më i madh është tek vajrat dhe yndyrat me +5.1%, më pas frutat me rritje 4.6%, ndjekur më pas nga produktet e peshkut dhe bulmetit përkatësisht me +3.8% dhe 3.6%.
Por edhe pse konsumi mbetet i ulët për shkak të rënies në të ardhurat familjare dhe pasigurisë në pandemi, shqiptarët nuk heqin dorë nga investimi në të patundshme. Sipas raportit çmimet e Mobilieve, pajisjeve të shtëpisë dhe mirëmbajtjes së shtëpisë u rritën me +2.2% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Rritje po ashtu është regjistruar edhe në grupin e pijeve alkoolike, tek shëndeti dhe në hotele dhe restorante.
Ndërkohë vijon të ndikojë negativisht në inflacion, transporti publik çmimet e të cilit ranë me -0.25%, duke treguar një përdorim të ulët të tij. Sipas të dhënave edhe sektori i modës nuk po e mposht ndikimin e virusit, pasi edhe në shkurt qytetarët blenë më pak veshje dhe këpucë.