Frika për një izolim të dytë të vendit si pasojë e pandemisë COVID-19, ka bërë që qytetarët të kursejnë dhe të mos shpenzojnë, veçse për ushqime.
Sipas raportit të fundit të INSTAT, për çmimet e konsumit thuhet se inflacioni ka zbritur në 1.4% nga 1.5% që ishte në korrik të vitit të kaluar. Ky tregues në muajin qershor ishte në nivelin e 1.8%, përsëri shumë larg objektivit të Bankës së Shqipërisë për një inflacion në vlerën e 3%.
Ulja e inflacionit në këto nivele është një tregues që konsumi nuk po shënon progres, edhe pse vendi ka dalë nga izolimi. Gjatë muajit korrik të këtij viti qytetarët shqiptar kanë zgjedhur të kursejnë edhe sa i takon blerjes së produkteve të shportës pasi çmimet e kësaj kategorie në raport me muajin qershor kanë rënë me 1.3%.
Po ashtu qytetarët kanë zgjedhur të mos shpenzojnë as për argëtim e kulturë si dhe për mobilim të shtëpisë. Ndërsa treguesit që kanë pasur rritje të çmimit kanë qenë grupi i transportit, i mallrave dhe shërbimeve si dhe i pijeve alkoolike.
Mungesa e konsumit nuk vjen si pasojë e çmimeve të larta, por për shkak të rënies së të ardhurave, rritja e papunësisë si dhe pasiguritë për të ardhmen.