Partia Demokratike duhet të kishte bërë kontratën e lobimit në SHBA më herët, pasi është e vonuar, sepse koha tregoi se non grata e Sali Berishës dhe izolimi i PD-së ishte një lobim korruptiv nga diplomatët e karrierës që nuk janë më në detyra.
Kështu u shpreh avokati pranë selisë blu, Besart Logu, sot (2 maj) në “Studio Live” të Report Tv, në lidhje me ngjarjen më të fundit politike dhe me hije të forta dyshimi për mënyrën se si është realizuar dhe që aktualisht po hetohet edhe nga SPAK-u.
Por nuk ndau këtë mendim i ftuari tjetër i moderatorit Arbër Hitaj, eksperti i sigurisë Faik Basha, i cili pak javë më parë u largua nga Partia e Lirisë, ku ishte anëtar i Kryesisë, për t’iu bashkuar PS-së, pasi tha se “mungoi meritokracia për listat”, ku u përzgjodhën “besnikët” para “njerëzve me eksperiencë”.
Basha tha se i dukej e tepruar një kontratë lobimi me këto shifra të larta, që sipas tij është “buxheti i 5 viteve të PD-së”.
“Të jemi të qartë, të vërtetë e të drejtë në qëndrim, vlera totale është 6 mln dollarë që shtrihet në dy vite. Janë dhënë 750 mijë dollarë, për një periudhë 3 mujore. Duhej kjo kontratë për PD dhe ishte jetike, sepse çarja nisi për shkak të vendimit të 9 shtatorit të Bashës që tha se po e marr vendimin për të shpëtuar PD-në, për shkak të non gratës dhe izolimit të Berishës, e çarja e PD u bë po për shkak të arsyeje, e pranoj sepse edhe unë kam qenë pjesë e asaj retorike, se mendonim te një sjellje institucionale e SHBA-ve, por tani del se ka qenë pjesë e një lobi, ku të gjithë ata diplomatë të përfshirë janë në pension, të përfshirë te ajo skemë. Asnjëri nuk mban më funksion, vetëm Yuri Kim si këshilltare, as Riker, as Blinken etj, janë diplomatë karriere. Kjo provon se ka qenë një lobim korruptiv pa kontratë për të izoluar PD-në”, u shpreh Logu.
Ai vijoi se kjo kontratë duhej bërë dhe ishte jetike, pasi PS-ja kishte ngritur një digë ndaj PD-së. Logu justifikoi edhe shifrën e madhe të kontraktuar.
“Dhe tani PD duhet të çajë këto diga që ngriti PS-ja. Propagandë qeveritare për vlerën dhe subjektet. Kontrata është garanci për PD-në. Vlera politike e asaj kontrate prevalon mbi çdo vlerë. Është e vonuar, duhet të ishte bërë më shpejt. PD përfiton vetëm shërbimin, nuk ka paguar para. Problemi është për Ramën jo për PD-në”, përfundoi avokati për Report Tv.
Por eksperti i sigurisë Basha e kundërshtoi:
“Është sa 5 vite buxheti i PD-së. Më duket jshtëzakonisht e tepruar që të shpenzosh 6 mln euro për një lobim. Opozita ka kritikuar edhe PS-në për lobime me këto para, kurse kryeministri ka shpjeguar arsyet konkrete si për turizmin psh. Akoma pa marrë pushtetin ti shpenzon buxhetin e tetë viteve, më duket gabim që do kushtojë shumë, se jemi në proces zgjedhor dhe politik. Kjo është blerje marrëdhëniesh, është problematike. Të lobosh marrëdhëniet me SHBA është gabim në këtë mënyrë, sepse PD i ka pasur marrëdhëniet të mira me SHBA-të”, argumentoi ai.
Për fushatën elektorale, Logu dha mendimin se “PS po bën fushatë tallava, duke kopjuar edhe programin e PD-së, kurse ekonomia është rrënuar”.
Ai tha se PD-ADSHM kanë ngritur Task-Forcë dhe po monitorojnë dhe kalëlzojnë në Prokurori çdo krim elektoral të evidentuar, duke mbështetur edhe deklaratën e Berishës për shpalljen grupe terroriste të bandave kriminale.
Ndërsa Basha u shpreh se PD-ja po bën fushatë me Ilir Vrenozin:
“Situata elektorale e qetë. Shkak mënyra e komunikimit dhe strategjia. PD e ka bazuar fushatën te Ilir Vrenozi. PS ka artileri të fortë në terren, baza e palëkundur. Ka bërë faktor një anëtar të partisë në Korçë. Nuk mendojnë se qëndrojnë këto akuzat për banda kriminale apo administratës në zgjedhje, për sa kohë nuk paraqiten prova e fakte konkrete. Deri tani procesi zgjedhor është më i miri i mundshëm për mënyrën se si po shkon, të paktën që nga 1992. Kemi të gjitha institucionet, që nga Prokuroria, BKH, SPAK, të gjithë me monitorim kudo”, tha eksperti i sigurisë.
Komente
