Politikë

Kontrata e lobimit të PD/ Beqiri: Rrezikojnë deri në 12 vite burg, KQZ po hesht! Berisha s’e heq dot non gratën! Petraj: FBI do e hetojë, ky do jetë fundi i LaCivita, ndjekje penale dhe Flamur Nokës

28 Prill, 17:44| Përditesimi: 28 Prill, 18:50

  • Share

Kontrata e lobimit 6 mln dollarë e Partisë Demokratike dhe Sali Berishës me kompaninë amerikane "Continental" nëpërmjet fondacionit "MAGA", të krijuar një javë para firmosjes nga Flamur Noka, ka ngritur dyshime të forta dhe tashmë po verifikohet nga ana e SPAK.

Avokati Idajet Beqiri shpjegoi sot (28 prill) në emisionin 'Studio Live' të Report Tv, edhe përcaktimin e Kodit Penal përsa i përket krimeve elektorale dhe ligjit për financimin apo donacionet ndaj partive politike në fushatat zgjedhore. Ai e quajti "skandal dhe tërmet", duke bërë edhe shpjegimin procedurial.

I pyetur nga moderatori Arbër Hitaj, ai shpjegoi se është shkelur ligji dhe vepra penale parashikon deri në 12 vite burgim.

Beqiri hodhi dyshime për skemën e përdorur për kontratën e lobimit 6 mln dollarë të PD-së dhe Berishës, duke shtuar se e ka kaluar me 15 fish shifrën që i lejohet nga KQZ.

Kurse avokati Edmond Petraj u shpreh se për këtë skandal do hetojë edhe FBI-ja, kurse Chris LaCivita si lobues dhe Flamur Noka si firmëtar nga PD, bashkë me personat e tjerë të implikuar, nëse hetimet amerikane dhe të SPAK e provojnë, rrezikojnë fundin e tyre dhe ndjekjen penale.

Partia Demokratike nuk dha asnjë detaj mbi organizatën “MAGA” që ka ndërmjetësuar lobimin, por Report TV ka zbuluar se në fakt, ajo është krijuar vetëm 7 ditë para se Flamur Noka të vendoste firmën e tij, në kontratën marramendëse me kompaninë CONTINENTAL, e zotëruar dhe drejtuar nga njerëz pranë presidentit Donald Trump.

Firmëtar në këtëkontratë figuron edhe garantuesi Nuredin Seçi, një elektricist me banim në SHBA.

“Në ligjin e partive politike është përcaktuar se si financohen partitë politike në Shqipëri. Në nenin 89 të ligjit thuhet se cilido shtetas shqiptar ka të drejtë të sponsorizojë partitë politike, deri në 1 mln lekë të reja, duke deklaruar burimin dhe të kesh shtetësi shqiptare. Nuk e dime nëse lista e 6 mln dollarëve janë shqiptarë apo janë amerikanë dhe duhet të jetë 10 mijë dollarë. Këtu kemi 6 mln dollarë. Krim i rëndë. Edhe nëse pretendohet se janë dhënë nga shumë persona, secili nga 10 mijë dollarë, kemi ligjin që përcakton se përsëri ti nuk mund ta kalosh 10% e shumës që të ka dhënë KQZ për fushatë elektorale. Nëse i ka dhënë KQZ-ja PD-së 450 mld lekë, atëherë nuk duhet të jetë më shumë se 450 mijë dollarë. Unë them se rrezikon burg, është krim elektoral dhe sipas Kodit Penal shkon deri në 12 vite burgim”, shpjegoi avokati ligjin për krimin elektoral.

Më tej avokati shpjegoi se ky ishte një skandal i madh dhe “tërmet” që “do e shkundte bandën kriminale të PD”.

“Ky është një tërmet, një skandal i një bande kriminale e drejtuar nga berisha dhe ku Shqipëria duhet të shpëtojë njëherë e mirë nga kjo, që të dalë një opozitë e re, e pandikuar nga Serbia dhe lobi i saj. Por këta i gënjen mendja se do hiqet non grata. Jo vetëm do i thonë hiq këtë çështjen që ke në gjyq, por hiq 21 janarin, Gërecin, hiq dosjen me Anglinë me 500 mijë paund apo edhe gjysmë milion euro në Francë, jan të tëra këto dosje dhe të tjerat që janë në proces”, kujtoi ai për “Report Tv’.

Beqiri gjithashtu bëri përgjegjës edhe KQZ-në dhe kryetarin e saj Ilirjan Celibashi që nuk po veprojnë për të bashkëpunuar me SPAK-un për kontratën e dyshimtë të lobimit.

“Por edhe KQZ ka një rol në këtë drejtim, për ta ndihmuar SPAK se kush e bëri, pse e bëri, për hetimin e kontratës, zbardhjen e saj dhe transparencën. KQZ duhet të veprojë, e ka në ligj, të hetojë me ekspertë transaksionet financiare të partive politike, 3 muaj para dhe pasa zgjedhjeve, para që përdoren për financime të paligjshme të partive politike. Edhe kryekomisioneri i KQZ po shpërdoron detyrën në këtë rast dhe madje do vejë edhe vetë në burg për mosveprimin”, shpjegoi avokati.

Ndërsa avokati tjetër, Edmond Petraj, tha se pas lajmit për kontratën e Lobimit, FBI-ja do nisë hetimet, pasi nuk mund të kalojë pa u verifikuar. Sipas tij, lobisti Chris LaCivita dhe Flamur Noka rrezikojnë ndjekjen penale dhe do jetë fundi i tyre nëse provohet krimi elektoral dhe shkeljet.

“Ligji e parashikon donacionin për fushatë elektorale, por këta persona do skanohen të gjithë. Nëse zbulohet se bëhet për pastrim parash, LaCivita-n e pret fundi i tij, e pret largimi i menjëhershëm dhe hetimi penal. Kjo kartë kalon në skandal dhe nën hetim. Flamur Noka si sekretar i PD-së kalon direkt nën hetim penal për këtë, pasi bashkëpunohet edhe me drejtësinë amerikane apo FBI-në, për të koordinuar veprimet dhe për të dalë në konkluzionin se kemi të bëjmë me krim elektoral. Këtui nis hetimi penal. Këta në PD kanë bërë një autogol të madh”, tha ai.

Juristi shprehu qartë edhe mendimin si ekspert se “berisha nuk e heq dot non gratën”, të paktën pa u pasttruar nga dosja penale që i është hapur në Shqipëri, me akuzën e korrupsionit.

“Përsa i përket shpalljes non grata, Berisha nuk e heq dot. Është vendosur që në mandatin e parë të Trump, nga administrata dhe ambasada e SHBA. Ka procedura, është në proces, nuk është aq e lehtë. Por duke përmendur emra të veçantë, edhe Trump nuk ka për ta lejuar përdorimin e emrit të familjes së vetë, madje do shkojë deri se ku kanë shkuar njerëzit e tij në këtë aferë. Edhe FBI do hetojë. Por Berisha duhet të mbarojë njëherë proceset e tij penale që ka këtu në Shqipëri. Amerika nuk të fal, e ka të caktuar pozicionin e saj gjeopolitik dhe strategjik. Kanë zgjedhur partnerin me të cilin do komunikojnë në këto 4 vite, e quajtën partner strategjik”, përfundoi Petraj.

Vetëm 3 ditë para se të arrihej dakordësia mes Partisë Demokratike dhe kompanisë amerikane për lobimin 6 milionë dollarë në SHBA, themelohej në Nju Xhersi fondacioni “Make Albania Great Again”. Report Tv ka siguruar dokumente ekskluzive për këtë fondacion, të cilat i shtojnë më shumë pikat e errëta rreth tij, njerëzve që e përfaqësojnë dhe burimet të financimit.

“Make Albania Great Again”, është fondacioni amerikan, i cili sipas Partisë Demokratike ka marrë përsipër të paguajë 6 milionë dollarët e lobimit në Shtetet e Bashkuara.

Report Tv ka siguruar ekskluzivisht dokumente, që vërtetojnë se “Make Albania Great Again”, është regjistruar si Organizatë Jofitimprurëse më 27 mars 2025. 

Themeluesi i saj është shqiptaro amerikani Nuredin Seci, i cili do të jete dhe garantori i kontratës. Fondacioni, qartazi duket të jetë krijuar për të mbuluar marrëveshjen e lobimit.

Kërkesa drejtuar pikërisht kompanisë “Continental Strategy LLC”, ka pasuar menjëherë aktin e krijimit të fondacionit. Sepse vetëm 3 ditë më pas, Seci, mori përgjigjen nga kompania e lobimit se ishte e gatshme të angazhohej në shërbime për Partinë Demokratike të Shqipërisë.

Dhe 5 ditë më pas, më 4 prill Flamur Noka firmos si përfaqësuesi i Aleancës për Shqipërinë Madhështore.

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni kontratën 6 mln dollarë të PD për lobim në SHBA?