Kontrata e lobimit me kompaninë amerikane “Continental” të Partisë Demokratike dhe Sali Berishës, për t’i hequr “non gratën” në SHBA, tregoi edhe një herë se ai e ble integritetin e tij me para dhe në këtë rast me 6 mln dollarë.
Pagesa e parave për heqjen e 'non gratës' për çështjet korruptive që ka bërë ndër vite dhe për të cilat u shpall nga SHBA dhe Anglia, janë më të rrezikshme dhe të rënda sesa shpallja “non grata”.
Kështu shprehet analisti dhe ish-deputeti demokrat Arben Meçe për “furtunën” e fundit që shkaktoi në Shqipëri publikimi i kësaj kontrate, (u botua ekskluzivisht nga Report Tv dhe Shqiptarja.com).
Meçe ishte i ftuar në ‘Sot, Live në Shqipëri” të gazetarit Nertil Agalliu, ku bëri analizën e tij të çështjes së “nxehtë” dhe foli për anët e errëta të saj.
“Ky proces do kishte pasoja për administratën amerikane nëse vepron për heqjen e non gratës jashtë protokollit dhe procedurave që parashikohen në ligj. Madje ish-sekretari Blinken mund të hap gjyq nëse kjo ndodh nga pasardhësi i tij Rubio. Kontrata e lobimit shtrihet në periudhë 2-vjeçare. Por përsa i përket heqjes së non gratës së Berishës, nëse ajo është e padrejtë, nuk është nevoja të paguhen 6 mln dollarë. Non Grata e Berishës nuk është çështje politike, por çështje ligjore. Pse duhet të paguajnë shqiptarët 6 mln dollarë? Pse i duhej funksionarëve të PD-së apo Flamur Nokës dhe të tjerëve që të paguajnë 6 mln dollarë? Pse ky lobim me persona të dyshimtë në korridoret atje, sepse e dimë që Berisha dikur bënte takime dhe lobime para se të shpallej non grata”, shprehet analisti për Report Tv.
Për Meçen, kontrata ka një prapavijë të qartë politike, sepse ndryshe Berisha nuk shkel dot më në SHBA dhe as familja e tij.
Sepse kreu i selisë blu është i lakuar edhe për vrasjet e 4 protestuesve më 21 janar 2011 në bulevard, dosje për të cilën Strasburgu ka kërkuar rigjykim, teksa kjo ia rëndon më shumë pozitën atij.
“Kjo kontratë lobimi ka të qartë qëllimin për heqjen e non gratës, pasi pa u bërë kjo, Berisha nuk kontakton dot me administratën amerikane dhe korridoret atje. Berisha është i njohur për bëmat e tij në fushën e korrupsionit dhe të drejtave të njeriut, ka vrarë 4 njerëz në bulevard, ka vrarë njerëzit e vet, shqiptarë. Por nëse kjo ndodh me pagesën e lobimit për heqjen e non gratës, kjo lë një zhgënjim për shtetin amerikan dhe mendimin që ne kemi për ta. Berisha është diktator tipik, ka vrarë njerëzit e tij. Ngjarje më e shëmtuar se kjo nuk ka, kur një njeri si Berisha paguan lekë për të hequr non gratën, kur është dhe në gjyq e rrezikon burg. Çështja është a do përfshihet Amerika në këtë lobim për ta hequr me pagesë non gratën e Berishës? Kjo do të ishte zhgënjim. Berishës nuk mund t’i hiqet non grata me pagesë!”, analizoi Meçe.
Për të duhet bërë transparencë e financimit, pasi është në shkelje të ligjit.
Edhe pse ligji e ndalon një financim të kësaj përmase, përsëri PD e ka bërë, kurse Flamur Noka e ka hedhur firmën.
“Por një tjetër çështje është transparenca e financimit, ku në Shqipëri ndalohet financimi nga biznese, individë apo parti të huaja. Tjetra, mund të bësh donacione për subjektet politike, por vetëm sipas ligjit dhe rregullave të KQZ, me një limit të caktuar, që në këtë rast është kaluar. Në Shqipëri ndalohet financimi nga shtetas të huaj, për sa kohë nuk kanë aktivitet në linjën e financimit në Shqipëri. Edhe nëse janë shqiptarë, ligji s’e lejon këtë financim të lartë, e jo vetëm kaq, por duhet të deklarohet në KQZ ky bllok financimi ku mbahet shënim, regjistrohet në një libër financimi. Në mënyrë absolute nuk lejohen financime të këtyre përmasave. PD duhet ta deklarojë këtë financim kaq të madh në KQZ. Ligji nuk e lejon këtë përmasë financimi, ndaj ligji e ka ndaluar pa kushte financimin nga të huajt, nuk është vënë pa kushte e qëllim kjo. Pra financimi duhet të jetë i kontrolluar, kështu e parashikon ligji, ndaj edhe ndalohet nga jashtë vendit në këto përmasa”, shpjegon analisti.
Për këtë rast SPAK duhet të kishte vepruar menjëherë, pasi ngjarja është e rëndë dhe kompetencë direkte.
Meçe është i bindur se me këtë lobim, Berisha i ka bërë më shumë dëm vetes se kur u shpall non grata, madje “ka hapur kutinë e pandorës”.
“Nëse SPAK nuk e ka filluar kryesisht këtë çështje, sepse ka një Task-Forcë, që lidhet me emergjencën në fushatë elektorale, kur konstaton një shkelje të ligjit elektoral dhe financiar, vepron, sepse nuk ka ngjarje më të rëndë se kjo në këtë aspekt. Shqetësimi i Berishës nuk është non grata, sepse opinioni i shqiptarëve për Berishën dihej që para se të jepej kjo masë. Mendoj se Berisha shqetësim ka vendimin e Strasburgut për dosjen e 21 janarit, vrasjen e 4 njerëzve në protestën në bulevard. Ata nuk kuptojnë se sa dëm po i bëjnë vendit me imazh, por edhe Amerikës, demokracisë amerikane, me parimin se si ajo funksionon, por edhe mbështetjen proshqiptare që ka. Mbase Berishës i hiqet non grata, por nuk i hiqet penaliteti. Ai ble integritetin me para. Ai ka hapur kutinë e pandorës, është e dëmshme më shumë kjo sesa non grata. Blerja e non gratës është më e keqe sesa ajo e shpalljes non grata”, pëfundon ai.
Fondacioni siç zbuloi më herët Report Tv, u themelua vetëm pak ditë përpara firmosjes së kontratës, në të cilën, krahas emrit të Flamur Nokës, është vetëm ai i shqiptaro-amerikanit Nuredin Seci, në rolin e garantorit dhe personit që do të kryejë pagesat.
Sa i përket kontratës së firmosur së firmosur nga Flamur Noka, ajo rezulton të jetë më e shtrenjta edhe për një kompani shumë të njohur lobimi në SHBA si “Continental Strategy”. Në periudhën shkurt prill 2025 kjo firmë ka lidhur 5 kontrata ku në vend të parë me shumën 250.000 dollarë në muaj renditet PD e Shqipërisë, me një diferencë të theksuar nga të tjerat.
Kontratën 6 milionë dollarëshe Flamur Noka e firmosi në emër të të gjithë koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, ndërsa nuk ka asnjë informacion që për këtë të jenë pyetur kryetarët e 25 partive të tjera.
Për këtë kontratë, Prokuroria e Posaçme njoftoi se nisi hetimet menjëherë. Tashmë përmes hetimit do t’i takojë SPAK të tregojë burimin e financimit marramendës, për një kontratë që është më e shtrenjta në historinë e lobimeve në politikën shqiptare.
Komente

Z. Meçe, asaj 4 shtoi dhe disa zero nga prapa dhe prape i mbetesh borxh ketij vrasesi serial.
Përgjigju