Fatmir Xhafaj

Politikë

Kontroll në zyrën e tij pas sulmit në SPAK? Xhafaj hedh poshtë aludimet: Akuza të sajuara nga çorba e vjetër, nuk më sprapsin dot nga sfida e 11 majit

6 Prill, 14:27| Përditesimi: 6 Prill, 15:09

  • Share

Deputeti socialist, Fatmir Xhafaj ka hedhur poshtë aludimet se autoritetet kanë ushtruar kontroll në zyrën e tij, kanë sekuestruar laptopin dhe dokumentet lidhur me ndërhyrjen e paligjshme në postën elektronike të prokurorëve të SPAK. Në një reagim të gjatë në rrjete sociale, Xhafaj i cilëson si të pavërteta aludimet dhe pjesë të një 'fushate' të mirëorganizuar shpifjesh kundër tij. 

"Gjithçka nga këto është një thes gënjeshtrash, sajesa të ulëta të gatuara për motive qëllimkëqia, nga njerëz të paskrupullt moralisht! Unë i hedh poshtë me përbuzje dhe neveri. Jam i sigurtë se në momentin e përshtatshëm do të përballen me forcën e të vërtetës dhe ligjit si ata që i kanë nxitur edhe ata që kanë marrë përsipër të përdoren në këtë fushatë të pisët shpifjeje e intrigash publike.", thotë Xhafaj. 

Deputeti thekson mes të tjerash se nuk do të ndalet përballë sulmeve, por do të vijojë të qëndrojë në shërbim të qytetarëve dhe PS, për të kërkuar një mandat të ri përfaqësimi në zgjedhjet e 11 majit. Xhafaj përmend gjithashtu kontributin e tij në politikë dhe PS, veçanërisht në reformën në drejtësi dhe në Komisionin Antikorrupsion. 

"Do të vazhdoj të bëj punën time me përunjësi e përkushtim në shërbim të qytetarëve dhe Partisë Socialiste për të garantuar fitoren në zgjedhjet e 11 majit dhe për të bërë njëherë e mirë të pakthyeshëm rrugëtimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.", përfundon Xhafaj. 

Sulmi ndaj emaile-ve të prokurorëve të posaçëm Behar Dibra, Enkeleida Millonai dhe Elida Kaçkini ka ndodhur më 12 Mars, por SPAK doli me një njoftim tre javë më pas. Në një njoftim zyrtar, Prokuroria e Posaçme tha se hakerët nuk kanë mundur të depërtojnë në sistemin e brendshëm të IT-së, por kanë arritur që të marrin të dhënat nga adresat e emaileve të disa prokurorëve, por s’ka rrjedhje të dosjeve hetimore. Hakerët kanë tentuar që të ndërhyjnë edhe në emailin e kryeprokurorit Altin Dumani, por pa sukses.
 

Reagimi i plotë

Kam ndjekur kohët e fundit një seri raportimesh në media, plot me të pavërteta, insinuata dhe aludime nga gojë të shthurura e gjuhë të zgjidhura politikanësh apo pseudo-analistësh, që kanë për qëllim veç të përbaltin figurën time. Ashiqare ngjan me një fushatë të orkestruar sulmesh, njësoj siç kanë bërë edhe më parë.

Duke çmuar shumë lirinë e shprehjes dhe të drejtën e medias të bëjë punën e vet, për të informuar publikun e për të garantuar transparencën dhe duke pasur e dëshmuar përherë respekt maksimal për njerëzit e medias, sulme të tilla nga disa intrigantë nuk më detyrojnë dot të hesht e as të ndërpres punën në shërbim të qytetarëve, në mbrojtje të ligjit dhe interesit publik. Aq më pak më zmbrapsin dot nga sfida e 11 majit për një kontratë të re besimi me qytetarët e Tiranës, që të vijoj të jem përfaqësuesi i tyre në Kuvendin e Shqipërisë dhe për të çuar përpara angazhimet e mia publike përball zgjedhësve të mi.

Sulme të tilla janë veçse pasqyra e dobësisë se atyre që i gatuajnë, kuzhinierët pa din e iman të çorbës së vjetër e të prishur që i serviret publikut nëpër kanale e portale. Mediat që shpërndajnë këto trillime janë shembull i pasqyrave të thyera që nxijnë e deformojnë realitetin për interesa okulte.

ASGJË NUK ËSHTË E VËRTETË nga ato çfarë është thënë kohët e fundit për personin tim, për gjoja kontroll të zyrës, sekuestrim laptopi e dokumentesh apo insinuatat monstruoze për lidhje me ndërhyrjen e paligjshme në postën elektronike të prokurorëve të SPAK. Gjithçka nga këto është një thes gënjeshtrash, sajesa të ulëta të gatuara për motive qëllimkëqia, nga njerëz të paskrupullt moralisht! Unë i hedh poshtë me përbuzje dhe neveri. Jam i sigurtë se në momentin e përshtatshëm do të përballen me forcën e të vërtetës dhe ligjit si ata që i kanë nxitur edhe ata që kanë marrë përsipër të përdoren në këtë fushatë të pisët shpifjeje e intrigash publike.

Përballë tyre qëndroj i vendosur e me guxim sepse luftoj për atë që është e drejtë dhe e vërtetë. Zgjedhësit e mi, socialistët me zemër më njohin mirë prandaj më kanë zgjedhur dhe do të më votëbesojnë sërish në 11 maj, pikërisht edhe për arsyen kuptimplotë, se unë nuk jam nga ai soj politikanësh e zyrtarësh që e kanë ndërtuar karrierën duke shkelmuar çdo standard njerëzor dhe etik, duke keqpërdorur mediat si mish për top për të goditur nën brez kundërshtarët politik ose edhe konkurentët apo duke keqpërdorur funksionet në politikë, drejtësi e gjetkë nëpër institucionet shtetërore. KURRË në këtë karrierë të gjatë politike, në asnjë rast nuk kam fyer e cënuar kërkënd në integritetin e tij personal e familjar, qofshin këta edhe kundërshtar të mi politik.

Nuk është hera e parë për mua që përballem me këto sulme. Edhe kësaj radhe si çdo herë tjetër kushdo që përpiqet të më njollosë nuk ka për t’ja dalë sepse e vërteta është më e fuqishme se çdo forcë e padrejtë që mund të përpiqen të përdorin. Çdo shpifje, çdo gënjeshtër, çdo dezinformatë apo çdo kallëzim i rremë është një mjet i dobët që dëshmon batakun ku kanë rënë një takëm njerëzish, individë të frustuar mendërisht, politikisht e moralisht, që veç të vërtetës dhe interesit publik nuk iu shërbejnë.

Unë jam shumë krenar për kontributin tim në politikë, në Partinë Socialiste, në qeveri e legjislativ dhe veçanërisht në procese të rëndësishme jetike për vendin siç ishte Reforma në Drejtësi apo kjo që kemi ndërmarrë së fundi me Komisionin e Posaçëm për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit. Do të vazhdoj të bëj punën time me përunjësi e përkushtim në shërbim të qytetarëve dhe Partisë Socialiste për të garantuar fitoren në zgjedhjet e 11 majit dhe për të bërë njëherë e mirë të pakthyeshëm rrugëtimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Postimi i Xhafajt në Facebook 

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Produktet e kontaminuara, si e vlerësoni sigurinë ushqimore në Shqipëri?