Një javë më parë, në burgun e Drenovës janë ushtruar kontrolle në disa qeli, ku është gjetur një aparat celular dhe një sasi kanabisi. Sendet e paligjshme i janë gjetur të dënuarit Xhensi Lipo, i dënuar me 19 vite burg për veprën penale “vrasje me dashje” , lidhur me vrasjen e bashkëfshatarit të tij Erjon Ibi.
Prokuroria e Korçës po heton se si janë futur sendet, kush i ka futur në ambientet e burgut si dhe në rast se janë apo jo të Xhensi Lipos. Dyshimet janë se telefoni i përket Laert Haxhiut, megjithatë pritet ekspertimi.
Ky nuk është rasti i parë që këtij të dënuari i gjenden telefona në ambientet e burgut pasi edhe në fund të muajit qershor u sekuestruan 4 telefona që i përkisnin Haxhiut. Një ditë më pas, në pranga u vu polici Rudenc Myrte me akuzën se fuste lëndë narkotike dhe sende të paligjshme brenda burgut. Fatjon Fasho u shkarkua nga detyra si drejtor i burgut, ndërsa shefi i policisë së burgut Sokol Kacoli u pezullua. Në vend të Fashos, u rikthye Lorent Nake.
Laert Haxhiu, i ekstraduar nga Greqia, akuzohet si kreu i një grupi kriminal me anëtarë që kryen të paktën 17 krime të rënda ndër vite në Shqipëri, të rrëfyera tashmë nga i penduari i organizatës, Artan Tafani. Haxhiu është dënuar me burg përjetë për masakrën e Lushnjës më 2017, ku u vranë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha dhe u plagosën dy të tjerë, ndërsa shënjestër ishte Xhulio Shkurti, nipi o ish kreut të bandës, Aldo Bare. Aktualisht ai po gjykohet edhe për sagën kriminale të rrëfyer nga i penduari Tafani, në procesin që vijon në GJKKO.
Ndërsa Xhensi Lipo, të cilit iu gjet telefoni, u dënua në dhjetor të vitit 2014 me 19 vite burg pasi në vitin 2013 vrau me gurë bashkëfshatarin e tij Erjon Ibi, 38 vjeç. Pasi e qëlloi disa herë, më më pas e hodhi në kanal dhe i mbuloi trupin me ferra. Ngjarja e rëndë ndodhi në vendin e quajtur Kovacana, fshatin Cerrave të Pogradecit.
Komente
