Kontrollet në kampin e MEK, policia e Durrësit vë nën hetim 6 drejtues të organizatë

21 Qershor 2023, 11:18| Përditesimi: 21 Qershor 2023, 11:32

  • Share

1687265231_mek.jpeg

6 drejtues të organizatës MEK janë vënë nën hetim nga policia e Durrësit, pasi u përplasën një ditë më parë me efektivët e policisë, gjatë kontrollit të kësaj të fundit me urdhër të GJKKO-së, brenda kampit të muxhahedinëve në Manzë të Durrësit. Nën hetim janë vënë H.N., 73 vjeç; M.B., 72 vjeç; A.A., 72 vjeç; B.S., 63 vjeç; A.A., 61 vjeç dhe D.F., 70 vjeç. Ata po procedohen penalisht në gjendje të lirë, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” , “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”.

‘Kundërshtuan me dhunë punonjësit e Policisë së Shtetit dhe dëmtuan automjetet e Policisë, me qëllim pengimin e ekzekutimit të vendimit të GJKKO-së për të ushtruar kontrolle në vendqëndrimin e organizatës MEK, procedohen penalisht 6 shtetas, drejtues të organizatës MEK

Më datë 20.06.2023, shërbime të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bazë të planit operacional të hartuar me qëllim ekzekutimin e vendimit penal nr. 262, të datës 19.06.2023, të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kanë ushtruar kontrolle në ambientet e vendqëndrimit të organizatës MEK, në njësinë administrative Manzë, Durrës, për gjetjen dhe sekuestrimin e sendeve të kundërligjshme që mund të gjendeshin në ambientet e rezidencës.

Gjatë kryerjes së veprimeve procedurale konform ligjit, shërbimet e Policisë janë ndeshur me kundërshtimin e dhunshëm dhe të vazhdueshëm të shtetasve që strehoheshin në rezidencë, të cilët tentuan të pengonin shërbimet e Policisë për të vijuar kontrollet dhe për të sekuestruar provat materiale, objekt i vendimit të GJKKO-së.

Si pasojë e kundërshtimeve të dhunshme dhe të vazhdueshme, janë dëmtuar 15 punonjës policie dhe automjete të Policisë së Shtetit. Pavarësisht dhunës së ushtruar ndaj tyre, punonjësit e Policisë janë vetëpërmbajtur deri në ekstrem, duke mos iu përgjigjur proporcionalisht dhunës që po ushtrohej ndaj tyre.

Në kuadër të veprimeve hetimore të kryera për këtë qëllim, si dhe pas konsultimit me prokurorin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” , “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”, për 6 shtetas iranianë, rezidentë në vendqëndrimin e organizatës MEK, konkretisht:

H.N., 73 vjeç; M.B., 72 vjeç; A.A., 72 vjeç; B.S., 63 vjeç; A.A., 61 vjeç dhe D.F., 70 vjeç.

Strukturat hetimore të DVP Durrës dhe ato të Departamentit të Policisë Kriminale të DPPSH-së, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, vijojnë hetimet e thelluara për të dokumentuar me prova ligjore, veprimet e kundërligjshme të kryera nga shtetasit rezidentë në vendqëndrimin MEK, gjatë zhvillimit të operacionit të kryer nga Policia e Shtetit, në zbatim të vendimit të GJKKO-së, për kontrollin në ambientet e brendshme të rezidencës.’- njofton policia.


Lajmi kryesor:

Kontrollet në kampin e MEK, Report Tv siguron vendimin e GJKKO: Dyshohet se nga Manza u kryen 2 sulme kibernetike ndaj Iranit! Në hetim për provokim lufte


M.Q./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?