Kontrollet në objekte për sigurinë ndaj zjarrit, drejtorja e Shërbimit Zjarrfikës: Masa administrative për subjektet që kapen në shkelje

8 Janar, 14:11| Përditesimi: 8 Janar, 14:20

  • Share

TIRANË- Me urdhrin e ri të dhënë nga Ministria e Brendshme do ushtrohen kontrolle në objektet në gjithë vendin, të cilët do t’i nënshtrohen një kontrolli për masat kundër zjarrit. Drejtoresha e Shërbimit Zjarrfikës në Ministrinë e Brendshme, Holta Komino thotë në Report Tv se do të ngrohen grupe pune që do të ushtrojnë kontrollet për zbatimin e rregullave teknike.

Për emisonin ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu, Komino shpjegoi se fokusi i kontrolleve do jetë në objekte si qendra tregtare, pallate shumëkatëshe, shkollat, universitetet, si edhe aktivitete të tjera industriale.

“Do ngrihen grupe që do kenë përfaqësues nga shërbimi zjarrfikës vendor, IKMT do ketë edhe përfaqësues nga shërbimi zjarrfikës. Do përqendrohen në zbatimin e rregullave teknike sipas kategorizimit të objekteve. Do përqendrohen në objekte dhe aktivitet që kanë rrisk të ulët dhe të lartë, qendrat tregtare, pallatet shumëkatëshe, shkollat, universitetet, si edhe aktivitete të tjera industriale”, tha Komino.

Në rast se gjenden shkelje, Komino thotë se do vendosen masa administrative ndaj subjekteve.

“Subjektet që do inspektohen do kontrollohen në zbatim të ligjit. Do evidentohen mangësitë, do merren masa administrative ndaj subjekteve që s’kanë respektuar detyrimet e ligjit nëse s’janë të pajisur me masat për mbrojtjen nga zjarri”, u shpreh Komino.

Sa i takon mangësive në mjete që kanë zjarrfikësit, Komino thotë se është prioritet dhe se këtë vit do shtohen edhe  11 automjete zjarrfikëse.

“Ka problematika sa i takon kapaciteteve në bashkitë e vogla. Jemi në fokus për rritjen e kapaciteteve, gjatë këtij viti do vijnë rreth 11 automjete zjarrfikëse. Prioritet kemi bashkitë e vogla që kanë problematika”, vijoi ajo.  

Sa i takon vitit 2023, Komino thotë se forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë në 2400 raste në gjithë vendin.

“Ka realizuar 2400 raste në gjithë territorin, 800 kanë qenë gjatë verës, qershor, shtator që jemi hasur me zjarre të vështira. 12 prej tyre kanë qenë zjarre masive.

Kemi pasur tre raste zjarresh problematike dhe të vështira në zonat urbane, zjarri në pallatin 12-katësh pranë zonës së Ish-parkut, te fabrika Deutsch Color dhe zjarri në qendrën metropol në Lushnjë”, tha Komino.

Ky urdhër vjen pas djegies së qendrës tregtare Metropol në Lushnjë ku për shkak të mungesës së një autoshkalle dhe mjeteve të tjera u hasën vështirësi në shuarjen e zjarrit ndërsa zjarrfikësit hodhën ujë  nga kati i parë për në katin e katërt të qendrës që po shkrumbohej para syve të tyre.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?