Aksion i nisur prej dy ditësh për sigurinë ushqimore, nuk është kundër fermerëve, por për të formalizuar dhe forcuar sektorin e bujqësisë në vend.
Kështu shprehet Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në një njoftim zyrtar, duke sqaruar se synimi është siguria ushqimore e konsumatorëve.
“Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën me dije se kontrollet për sigurinë ushqimore dhe pajisjen me faturë tatimore nuk janë aksion kundër fermerëve, por një hap për ta formalizuar, forcuar dhe mbështetur sektorin bujqësor.
MBZHR në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Administratën Tatimore, sqaron se ka për qëllim formalizimin e sektorit dhe garantimin e sigurisë ushqimore për të gjithë qytetarët”.
Qëllimi nuk janë gjobat dhe as fermerët nuk janë fajtorë, vijon Ministria e Bujqësisë, që thekson se kërkon bashkëpunimin në këtë nismë.
“Fermerët nuk janë fajtorë. Ata janë bashkëpunëtorë të rëndësishëm në ndërtimin e një ekonomie të ndershme dhe të sigurtë. Qëllimi ynë nuk është të vendosim gjoba, por të krijojmë një sistem ku çdo hallkë e zinxhirit të prodhimit dhe tregtimit të produkteve bujqësore të jetë e pastër, e kontrollueshme dhe në shërbim të qytetarit.
Pse është i rëndësishëm bashkepunimi në këtë nismë?
– Gjurmueshmëria e produkteve – të dimë ku është prodhuar, si është përpunuar dhe kush e ka tregtuar një produkt.
– Siguria ushqimore – për të pasur më shumë besim në atë që vendosim në tryezë.
-Transparencë dhe mbështetje – fermerët që janë të regjistruar dhe të formalizuar kanë akses më të lehtë në subvencione, kredi, programe zhvillimi dhe mundësi për të eksportuar”.
Ministria e përmbyll njoftimin me “një ftesë për të gjithë aktorët e zinxhirit agroushqimor që të bashkëpunojnë për të ndërtuar një sektor të qëndrueshëm, të kontrollueshëm dhe të sigurtë për konsumatorin shqiptar dhe për eksportet shqiptare, që tashmë janë prezente në mbi 80 tregje elitare ndërkombëtare”.
Më herët reagoi edhe Administrata Tatimore, duke sqaruar se shitësit ambulantë nuk kanë detyrim të lëshojnë faturë.
Komente
