SHKODËR- 9317 bimë të dyshuara si kanabis janë gjetur dhe sekuestruar në territorin e Qarkut të Shkodrës. Në njësitë administrative Shosh e Pult në zonën e Dukagjinit, u gjetën dhe asgjësuan 4403 bimë. Për këtë rast nisi hetimi në gjendje të lirë për kryetarin e fshatit Ndrejaj, për shpërdorim detyre.
Në njësitë administrative Kastrat e Qendër në Malësi të Madhe u gjetën 347 bimë kanabis, ndërsa në fshatin Kamicë u gjetën 46 bimë të tjera, për të cilat u shpall në kërkim një 52-vjeçar. Në territorin e njësive Shllak e Temal, në Vau Dejës, policia gjeti dhe asgjësoi 4547 bimë. Edhe në Fierzë u gjetën dhe asgjësuan 20 bimë kanabis. Në pjesën më të madhe të rasteve, policia nuk ka të identifikuar autorët e kultivimit, për shkak të zonave të thella ku janë gjetur, megjithatë po vijon puna për identifikimin e tyre të plotë dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore.
Në vetëm një javë, më shumë se 22 mijë rrënjë kanabis sativa u gjetën dhe asgjësuan në qarkun e Shkodrës. Fundjavën e kaluar rreth 13 mijë rrënjë u gjetën në fshatrat Alijaj dhe Jeran të Malësisë së Madhe, të cilat u shkatërruan nga policia. Bimët ishin mbjell në tokë publike, por shumë afër banesave në zona krejtësisht fushore.
Në atë operacion u arrestuan 14 persona dhe u shpallën në kërkim 10 të tjerë, pjesa më e madhe e të cilave familjarë me njëri-tjetrin. Çuditërisht asnjë zyrtar lokal policie dhe kryetar fshatrash nuk u arrestua apo vendos në hetim në gjendje të lirë, megjithatë burimeve pranë bluve pohojnë se vijojnë hetimet për të identifikuar nëse ka pasur bashkëpunim apo shpërdorim detyre.
Komente
