Koordinatori i Shëndetit në shkollë- hallkë kyçe për promovimin e shëndetit tek fëmijët në shkolla…

29 Gusht, 11:49| Përditesimi: 29 Gusht, 11:58

  • Share

Shkollat për Shëndetin, është një një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) i implementuar nga Save the Children, që nga  Nëntori i vitit  2021. Projekti shtrihet në të gjitha shkollat e Shqipërisë, duke përfshirë këtu fëmijët, mësuesit, personelin ndihmës, autoritetet shkollore, prindërit e fëmijëve, si dhe të gjithë komunitetet.  Ky Projekt synon promovimin e sjelljeve të shëndetshme mes fëmijëve të shkollave 9-vjeçare (të moshës 6-16 vjeç) në Shqipëri me qëllim që ato, familjet e tyre përkatëse dhe komunitetet në tërësi të angazhohen në praktika dhe sjellje të shëndetshme përfshi ushqyerjen e shëndetshme, aktivitetin fizik, mos përdorimin e duhanit, alkoolit ose drogave, promovimin e shëndetit mendor, promovimin e shëndetit seksual dhe riprodhues, higjienën personale, mbrojtjen e mjedisit, si dhe promovimin e sjelljeve të tjera të shëndetshme.

- Shëndeti është kryefjalë e çdo aspekti jetësor dhe shqetësimi i çdo dite duke filluar nga familja, shoqëria dhe mbi të gjitha fëmijët. Parandalimi është më mirë se kurimi. Rritja e vetëdijes së fëmijëve të grup-moshës 6-16 vjeç, si dhe adoptimi i sjelljeve dhe zakoneve të shëndetshme mbi bazën e informacionit dhe aktivitete praktike, krijon premisat që fëmijët të zotërojnë aftësitë, kompetencat dhe informacionin e duhur për një shëndet dhe zakone të mira të jetës

Promovimi i shëndetit në shkolla ka qënë një nga objektivat kryesore të OBSH dhe agjensive të tjera ndërkombëtare që në vitet 1950. Në mbarë botën shkollat njihen si vendet ideale për të bashkëvepruar me fëmijët dhe të rinjtë. Shkollat përveç se ofrojnë infrastrukturën e nevojshme për të mbështetur programe të promovimit shëndetësor, gjithashtu ofrojnë një ndërveprim të drejtpërdrejtë me nxënësit në këto shkolla, si dhe mundësi e kontakte të shpeshta me prindërit dhe komunitetin. Është demonstruar bindshëm se, ndërhyrjet për promovimin e shëndetit të bazuara në shkollë parandalojnë sëmundjet, promovojnë shëndetin, mbështesin nxitjen e sjelljeve të qëndrueshme të shëndetshme, inkurajojnë zhvillimin e aftësive efektive të jetës dhe përmirësojnë performancën akademike midis nxënësve të shkollës.

Në vijimin e promovimit të shëndetit dhe sjelljeve të shëndetshme në shkolla, me shumë vlerë është identifikuar pozicioni dhe roli i Koordinatorit të Shëndetit në shkollë.

Duke çmuar shkollat si një kontekst i rëndësishëm për promovimin e shëndetit, projekti “Shkollat për Shëndetin” ka identifikuar nevojën e Koordinatorit të Shëndetit në shkollë si një agjent kyç i ndryshimit, me ndikim të lartë në ndryshimin e sjelljes së stilit të jetesës së shëndetshme tek nxënësit e shkollës. Në këtë kuadër që prej Marsit 2022, Projekti “Shkollat për Shëndetin” ka mbështetur pilotimin e profilit të Koordinatorit të Shëndetit fillimisht në 30 shkolla 9-vjecare (urbane dhe rurale), në 11 bashki, përkatësisht në Elbasan, Korcë, Pogradec, Bajram Curri, Prrenjas, Librazhd Peqin, Cërrik, Gramsh, Maliq dhe Kukës, e më pas ka vijuar pilotimin në 90 shkolla të tjera të shpërndara në të gjithë rajonet e shqipërisë.

Përkufizimi i “Koordinatorit të shëndetit në shkollë”

Emërimi (pozicioni) i “Koordinatorit të Shëndetit” konsiderohet thelbësor për të siguruar praninë e një stafi të caktuar në çdo shkollë, i cili duhet të jetë përgjegjës për koordinimin dhe harmonizimin e përgjithshëm të programeve të promovimit të shëndetit të zbatuara në nivel shkolle.

Koordinatori e shëndetit në shkollë është një mësues i dedikuar, i cili është përgjegjës për koordinimin e programeve të edukimit shëndetësor në nivel shkolle. Caktimi i koordinatorit të shëndetit në shkollë për të promovuar edukimin shëndetësor shihet i përshtatur sipas profilit të mësuesit psh. Biologji, Edukim Fizik dhe Shëndet, apo Edukim Qytetar. Megjithatë, kjo nuk mund të konsiderohet një element kufizues, pasi edhe mësues të tjerë të profileve të tjera mund ta realizojnë këtë rol në shkollë. Ajo që ka shumë rëndësi është që Koordinatori i Shëndetit në shkollë apo dhe ekipi mbështetës përzgjidhen në varësi të profilit, trajnimeve dhe eksperiencës.

Roli dhe disa nga përgjegjësitë e Koordinatorit në Shkollë:
• Ndërton Komitetin Shëndetësor të Shkollës dhe formon Klubin Shëndetësor të Shkollës;
• Realizon sesione të edukimit shëndetësor me mbështetje teknike dhe ekspertizë nga qendrat shëndetësore më të afërta;
• Promovon përmes aktiviteteve në shkollë ngjarjet e shënuara globale si Dita Botërore e Ujit, Dita Botërore e SIDA-s, Dita Botërore e Shëndetit, Dita Botërore e Tokës, etj;
• Organizon kompeticione, fushata në lidhje me shëndetin;
• Realizon projekteve të ndryshme si mbrojtja e burimeve ujore, fushata të pastrimit brenda komunitetit lokal, edukimi i komunitetit lokal;
• Ofrimi i shërbimeve shëndetësore në nivel shkollë si depistimi vizual, depistimi oral, dekrimbimi, ofrimi i ndihmës së pare, etj;
• Lehtëson bashkëpunimin ndërmjet personelit përgjegjës të shkollës për shëndetin dhe sigurinë e nxënësve;

“Roli i Koordinatorit në shkollë është i rëndësishem pasi duke qënë në profesionin e mësuesit kemi aftësi pedagogjike për të përcjellë informacionet në mënyrën e duhur. Gjithashtu duke qënë edhe në pozicionin e një (prindi) nëne të re e kam shumë të qartë shqetësimin për një shëndet të mirë të fëmijëve. Duke qënë koordinatore jam munduar akoma edhe më shumë për të qënë më afër nxënësve për t’u njohur me shqetësimet e tyre dhe për ti këshilluar ata” - Arjana Luka, Kordinatore e Shendetit, Shkolla 9 Vjecare Rrajce -Fushe 

Zgjerimi i rrjetit të Koordinatorëve të Shëndetit dhe Konventat Rajonale

Projekti “Shkollat për Shëndetin” në vitin e tij të katërt, ka zgjeruar rrjetin e Koordinatorëve Shëndetësor të Shkollave. Aktualisht Rrjeti i Koordinatorëve të Shëndetit në Shkollave aktualisht është efektiv në 120 shkolla në të gjithë vendin. Rrjeti luan një rol të rëndësishëm së pari në pormovimin e shëndetit në shkolla përmes aktiviteteve të ndryshme dhe gjithashtu në shkëmbimin e përvojave dhe shkallëzimin e praktikave më të mira nëpërmjet takimeve të tyre periodike. Ai promovon rolin e Koordinatorëve Shëndetësor të shkollave në kryerjen e aktiviteteve të shumta të edukimit shëndetësor që rezultojnë në promovimin e stilin e jetesës aktive dhe sjelljeve të shëndetshme. Në ndihmë të kësaj është zhvilluar edhe një manual praktik që udhëzon koordinatorin shëndetësor në nivel shkolle. Ky manual është i dobishëm jo vetëm koordinatorët shëndetësorë, por edhe të gjithë mësuesit e interesuar dhe stafin e shkollës në përfshirjen e tyre në edukimin shëndetësor. Manuali përcakton profilin e Koordinatorit Shëndetësor të Shkollës si një model i qëndrueshëm dhe efikas për edukimin e shëndetshëm në shkollat 9-vjeçare në Shqipëri. Ai i drejton ata se si të kryejnë me efektivitet përgjegjësitë e tyre dhe të zbatojnë iniciativat dhe ndërhyrjet e synuara shëndetësore.

Një element tjetër në forcimin e bashkëpunimit midis rrjetit të Koordinatorëve të Shëndetit, është edhe organizimi i Konventave Rajonale të Koordinatoreve të Shëndetit në shkolla.

Organizimi i Konventave Rajonale të Koordinatorëve të Shëndetit, që u zhvilluan gjatë vitit 2023-2024 në tre rajone kryesore: Durrës, Lezhë dhe Vlorë, ka rezultuar i suksesshëm në forcimin e bashkëpunimit brenda rrjetit të Koordinatorëve të Shëndetit në shkolla. Qëllimi kryesor i këtyre konventave është që të rritet dhe të forcohet roli i Koordinatorit të Shëndetit në shkollë, duke ofruar një platformë ku çdo shkollë mund të prezantojë praktikat dhe modelet që kanë zbatuar për promovimin e shëndetit. Përmes këtyre aktiviteteve, janë adresuar në mënyrë të drejtpërdrejtë problematikat që janë identifikuar më parë në komunitetet shkollore.

Një vlerë e shtuar e këtyre takimeve është mundësia për të ndarë praktikat më të mira mes koordinatorëve, duke krijuar një rrjet më të fuqishëm dhe më të lidhur të koordinatorëve të shëndetit në shkolla. Kjo ndihmon jo vetëm në ndarjen e ideve dhe përvojave të suksesshme, por gjithashtu në ndërtimin e një ndjenje komuniteti, përkatësie dhe bashkëpunimi midis anëtarëve të rrjetit. Takimet kanë pasur një rëndësi të veçantë në njohjen reciproke dhe në forcimin e lidhjeve mes koordinatorëve, duke bërë që të ndjehen si pjesë e një rrjeti të përbashkët me një qëllim të përbashkët.

Në planin afatgjatë, synohet që këto konventa rajonale të shndërrohen në një traditë të përvitshme, që do të kulmojnë me organizimin e një Konvente Kombëtare në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, duke ofruar një mundësi unike për të diskutuar dhe për të përcaktuar drejtimet strategjike për përmirësimin e shëndetit në shkolla në të gjithë vendin.

Bazuar në modelin e pilotuar tashmë suksesshëm në 120 shkolla, duke vlerësuar maksimalisht nevojën dhe qasjen e mirëpritur nga drejtuesit e shkollave për rolin dhe angazhimin që realizojnë Koordinatorët e Shëndetit për të patur një shkollë sa më të shëndetshme në dimensionin personal dhe fizik të shkollës dhe komunitetit, Projekti “Shkollat për Shëndetin’ ka paraqitur kërkesën e argumentuar pranë Ministrise së Arsimit dhe Sporteve  për nevojën e institucionalizimit të pozicionit të Koordinatorit të Shëndetit në të gjitha shkollat 9-vjeçare të Shqipërisë.

Në nivel global, qeveritë dhe komunitetet shkollore po pranojnë gjithnjë e më shumë lidhjen e ngushtë midis shëndetit, mirëqenies dhe rezultateve arsimore. Shkollat po njihen si mjedise kyçe për ndikimin në shëndetin dhe mirëqenien e nxënësve, familjeve të tyre dhe komunitetit më të gjerë. Pandemia e COVID-19 dhe mbylljet e shkollave që erdhën si rezultat i saj, kanë theksuar këto lidhje. Një shkollë që promovon shëndetin përkufizohet si një shkollë që vazhdimisht forcon kapacitetin e saj për të ofruar një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm për jetesë, mësim dhe punë. Ndaj edhe në këtë kontekst, nevoja e Koordinatorit të shëndetit në shkollë dhe roli i tij, merr një vlerë të vecantë për të siguruar qëndrueshmërinë në promovimin e shëndetit tek fëmijët.

S.G//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?