Kronikë

Kopshti Zoologjik i Tiranës gati në fund të 2021, Veliaj: Surprizë e këndshme për fëmijët

5 Shtator 2021, 11:51| Përditesimi: 5 Shtator 2021, 12:50

  • Share

Kopshti Zoologjik i Tiranës, i rikonceptuar dhe transformuar sipas standardeve europiane të hapësirave për kafshët, do të jetë gati për fëmijët dhe vizitorët brenda vitit 2021. Projekti i ri i Bashkisë së Tiranës, i cili është në fazën përfundimtare të tij, ofron hapësira për shërbime dhe mjedise të nevojshme për vizitorët e Kopshtit Zoologjik, ambiente rekreative ku mbizotërojnë hapësirat e gjelbra të shfrytëzueshme edhe për piknik, si dhe këndet e lojërave për fëmijë, por nuk do të mungojnë as mjediset edukative për studentët dhe nxënësit që studiojnë veçanërisht botën e kafshëve.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili inspektoi punimet nw Kopshtin Zoologjik, u shpreh i befasuar nga ritmi, por dhe cilësia e punimeve për këtë projekt.

“Do të jetë një surprizë shumë e këndshme për fëmijët e Tiranës, Shqipërisë por edhe të rajonit. Do ta mbyllim vitin me një nga projektet që kemi më për zemër, projekt që prej vitesh edhe kryeministri që kur ka qenë kryetar bashkie e ka pasur merak, Kopshtin Zoologjik. Ka qenë puna e përbashkët e Bashkisë me Qeverinë që arritëm tu japim fëmijëve sot realisht një nga hapësirat më cilësore, të transformuara totalisht. Nuk është më ajo hapësira ku ujku dhe dhelpra rrinin në 20 metra katrorë. Sot ka hapësira gjigande si për kafshët, standard që është në të gjithë Bashkimin Europian, ashtu edhe për fëmijët dhe vizitorët,” tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë tha se stina e vjeshtës do të nisë edhe me fushatën e gjelbërimit dhe mbjelljeve.

“Duke filluar që nga parkingu, tek hapësirat ujore, tek hapësira e majmunëve dhe kafshëve të buta, tek ajo që quhet Farmville, pra një pjesë fshati, apo edhe tek kafshët e egra është punuar me shumë cilësi. Mezi pres që t’i shkojmë deri në fund, të shfrytëzojmë edhe stinën e shirave që po afron për gjelbërimin, do ta kthejmë të gjithë tetorin-nëntorin në një fushatë të madhe mbjelljesh dhe pastaj ta mbyllim vitin me një nga dhurata më të bukura për fëmijët e Tiranës,” deklaroi ai.

Projekti parashikon tharjen e liqeneve ekzistuese dhe krijimin e tre liqeneve të reja. Nga sipërfaqja e re e përfituar do të shtohen hapësirat në dispozicion për strehimin e kafshëve.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?