Vjosa magjike

Korbat puplarënë të Berishës fluturojnë edhe mbi Vjosë

20 Mars 2023, 19:40| Përditesimi: 20 Mars 2023, 19:53

  • Share

Ndotësit më të mëdhenj të natyrës që toka shqiptare ka njohur ndonjëherë, ata që masakruan pyje, gërryen male, ndotën lumenj, thanë liqene, shfarosën kafshë, dëbuan shpendë, mbushën det me plehra, mbytën fusha bujqësore me ndërtime pa leje, sot nuk gëzojnë dot për Vjosën të shpallur Park Kombëtar. Ata që donin t’i merrnin frymën Valbonës në veri me mbi 40 hidrocentrale dhënë fisit, klanit, vartësve, shërbëtorëve dhe mbi 30 mbi Vjosën në jug, dhënë sekserëve të pushtetit, kunatit, dhëndrrit, parrukieres, rrobaqepëses personale, aktores së preferuar, gjykatësit-shërbyes janë në zi. Si përherë, janë njerëzit më të ngushtë të klanit të Sali Berishës, që për arsye të mistershme, ende të paspjegueshme, iu qëndrojnë gjërave të bukura që Shqipëria ka, si korbat mbi një kufomë. Por për fat, janë përherë e më pak dhe dukshëm, me pupla rënë.

Që lumi i bukur i Vjosës u shpall Park Kombëtar, është një lajm i mrekullueshëm dhe çdo shqiptar i mirë në gjithë këtë luginë mund të ëndërrojë një kryevepër të njerëzve dhe të natyrës rreth saj.

Me rastin e lajmit të mirë të shpërndarë, emisioni prestigjoz “GEO” në RAI TRE, pasditen e kësaj të hëne ritransmetoi një reportazh të gjatë dhe të detajuar realizuar 3 vite më parë që aty ku Vjosa buron, në malet e Greqisë e deri në derdhjen e saj. Fshatarë të zonës folën, nëna përmetare treguan e gatuan, artizanë të rakisë e të bakrit shpalosën talentin e njerëzve duarartë që të gjithë e dimë se janë punëtorë me nam.

Mes tyre foli dhe Dorina, një biologe e re me origjinë nga Përmeti i trëndafilave, lindur e rritur mbi Vjosë. Dorina studion ujërat e Vjosës dhe për telekamerat e RAI TRE bëri një demonstrim të thjeshtë shkencor që tregonte pastërtinë, oksigjenimin dhe parametrat që e shpallin Vjosën një lumë të pastër: me një rrjetë të futur në baltë dukeshin qartë organizmat, larvat, që ngecnin, të gjitha specie që mbijetojnë kur lumi është i shëndetshëm.

Por Vjosën një lumë të egër e të shëndetshëm, të denjë për vëmëndje dhe për t’u mbrojtur, e kanë shpallur dhe organizma prestigjoze ndërkombëtare që prej dhjetëra vitesh përpiqen të mbrojnë natyrën në mbarë Globin, ekspertët e të cilëve nuk janë korbat pendërrjepur të Sali Berishës që shpifin për inat; ndaj, sado që këta të fundit të kakarisin të dëshpëruar, kakarisja e tyre shuhet vetëm me gurgullimën e lirë të Vjosës.

a.m.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?