Komedia “Vendi më i humbur në Shqipëri” me regji të Andia Xhungës u shpall rrëmbeu çmimet më të rëndësishme të Edicionit të 12 të Festivalit Mbarëkombëtar të Komedisë “KoKo Fest” që për 7 net me radhë e ktheu Korçën në kryeqendër të artit të komedisë, duke sjellë në skenë disa prej shfaqjeve më të bukura.
Vepra fitoi jo vetëm çmimet për “Shfaqjen më të mirë”, “Regjinë më të mirë”, dhe Çmimin e Publikut” por u vlerësua edhe për interpretimin e fuqishëm të aktorit protagonist Gentian Zenelaj si aktori më i mirë dhe aktorin e ri më të mirë, Alex Seitaj.
"Jam shumë e lumtur për këtë pritje që na bëri publiku korçar, për vlerësimet që na dha juria. Morëm 5 çmime, ku ka më bukur se ‘Çmimi i publikut’, ku ka më bukur se sa të vjedhësh zemrën e publikut. Duke marrë ‘Regjia më e mirë’, ‘Shfaqja më e mirë’, ‘Aktori protagonist’ Gentian Zenelaj dhe ‘Aktori më i ri, Alex Seitaj. Jam shumë e lumtur, ishte një surprizë shumë e madhe. Ndihem shumë e lumtur, puna jonë është vlerësuar dhe mbi të gjitha mesazhi që vepra ka përçuar të publiku dhe publiku gjen veten nga fillimi në fund në këtë vendin e vogël të humbur në Shqipëri. Mesazhi i shfaqjes është se kur vendim e duam, pavarësisht se sa i humbur është dhe pavarësisht se sa probleme ka, nëse çdo ditë të gjithë nga pak punojmë me përkushtim dhe dashuri, vendi do të bëhet", u shpreh regjisorja Andia Xhunga.
Edhe aktoret Zamira Kita, Olta Daku dhe Egla Ceno u vlerësuan me çmimin “Aktorja më e mirë”. Ky ishte një moment i veçantë për Zamira Kitën, e cila ndau skenën me dy koleget e saj në komedinë “Një martesë, një divorc dhe një funeral”, duke e kthyer vlerësimin në një gëzim të trefishtë.
“Jam shumë e kënaqur që ia dolëm ta mbyllim me sukses. Kemi patur trupën e Prizrenit, ka patur trupa të ndryshme, edhe italiane. Përpiqemi të hapemi me ‘Koko Fest’, ta bëjmë ndërkombëtar si festival. Më vjen mirë që publiku e priti mirë, çmimet shkuan atje ku duhen, juria ka bërë vlerësim profesional për të gjitha shfaqjet dhe aktorët pjesëmarrës. Jam e lumtur që publiku e ndoqi shumë ‘Koko Fest’, shumë të ftuar kishim nga Tirana, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, por edhe që çmimi i aktores më të mirë u nda tek 3 aktoret e shfaqjes sonë, Olta Dako, Egla Ceno dhe unë. Kjo më bën edhe njëherë që ti them publikut dhe të krijojmë bindjen që arti bëhet në grup dh ene duke qenë të treja bashkë ia dolëm që e fituam këtë çmim”, tha aktorja Zamira Kita.
Po ashtu, regjisori i mirënjohur Gëzim Kame u nderua me 'Çmimin e karrierës', si një vlerësim për kontributin e tij të gjatë dhe të çmuar në skenën shqiptare. Kame ka edhe kritika për shtetin shqiptar, kur thotë se tetarin e ka lënë në harresë.
“Ndihem shumë i respektuar nga teatri i Korçës, nga qyteti i Korçës. Por në radhë të parë nga ky teatër që ka një karrierë të jashtëzakonshëm në historinë e teatrit shqiptar. Të marrësh çmimin e karrierës në këtë lloj teatri më emocioni vërtetë. Humori sot është futur në një vorbull të ekonomisë së tregut që synohet për të fituar, jo për të patur funksionin e vërtetë, humori që zhbirilon thellë në psikikën e spektatorit, edhe i kënaq, por lë një mesazh shumë të shëndoshë. Ky humor i thellë që shqiptari e ka në përgjithësi i mungon skenës shqiptare në këtë periudhë. Është futur ekonomia e tregut edhe në art. Edhe shteti e ka lënë në fund fare teatrin shqiptar, pika e fundit si përkrahje, financim, por edhe të marrë pjesë aktivisht në ecurinë e tetarit. E shoh në grahmat e fundit tetarin sot për sot, nuk ka qenë kështu”, u shpreh regjisori Gëzim Kame.
Mbrëmja përmbyllëse e festivalit u mbyll me shfaqjen e Teatrit të Prizrenit “Komedia e Zezë”, duke i dhënë fund këtij edicioni me të qeshura, emocione dhe duartrokitje të gjata.
Komente
