Korça u mbush me emocion dhe muzikë në natën e fundit të festivalit “Serenight”, ku koncerti Gala me titull simbolik “Dhe vajzat dritaret i hapin ngadalë” sollinjë atmosferë ndryshe në qytetin e serenatave. Në skenën e Pazarit të Vjetër, Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura, së bashku me emra të njohur të muzikës shqiptare si Frederik Ndoci, Mihallaq Andrea, Eli Fara, Ermira Kola, Endri dhe Stefi Prifti, si edhe Bledi Polena, elektrizuan publikun me interpretimet e tyre.
"Është një mbrëmje më e veçantë, sepse vijmë në Korçë për serenatat, për një sferë tjetër, dhe veçantia e kësaj mbrëmjeje është se veprat janë të përpunuara nga profesor Josif Minga. Do të bashkëpunojmë me këngëtarë që janë legjenda të muzikës shqiptare, si Eli Fara, Frederik Ndoci, vëllezërit Endri dhe Stefi, gjithashtu edhe Millhaq Andrea. Për mua është një ndjesi shumë e madhe, sepse nuk performojmë thjesht me njëri-tjetrin, por me legjenda të muzikës shqiptare. Ëmbëlsia e muzikës shqiptare dhe e serenatave është gjëja më e bukur që mund të përjetojmë pikërisht këtu, në Pazarin e Korçës, kështu që është një kënaqësi shpirtërore.Jo, në fakt nuk ka qenë e lodhshme, kanë qenë prova shumë të mira, që kanë shkuar mjaft mirë, sepse është muzikë shqiptare dhe buron nga shpirti ynë, kështu që nuk është nevoja të lodhemi shumë.", tha Zyle Rexha nga Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura.
Festivali, i zhvilluar nën drejtimin artistik të Mjeshtrit të Madh Josif Minga, për tre netë me radhë solli tingujt e kitarave, mandolinave dhe violinave, duke kujtuar për më të vjetrit emocionet e dikurshme të serenatave poshtë ballkoneve dhe duke i treguar brezit të ri një traditë që vetëm Korça di ta ruajë me kaq dashuri.
"Këto janë materiale muzikore, përgjithësisht të natyrës korçare, me një sentiment të caktuar, të cilat i kam kuruar, i kam ripunuar, i kam orkestruar, vetëm e vetëm për t’i dhënë fuqinë skenike. Sepse, siç e dimë, shumë nga këngët tona janë familjare, këndohen në tavolina, këndohen në ambiente gëzimesh, e tjera të tjera, po këtu manifestojnë një natyrë tjetër, marrin natyrë më profesionale. Dhe “O sole mio” është kënduar me 2 kitarë, mirëpo vlerën përsëri e ka kur është masivizuar në orkestër simfonike. Kjo ka qenë dëshira ime, sigurisht në bashkëpunim me organizatorët, që t’i shplurosim natyrën e këngës, dhe ta sjellim më të avancuar dhe më profesionale sesa ku. Madje kemi zgjedhur zërat më të mirë, zërat me cilësi dhe të tjera vetëm, që t'i shërbejnë vetes dhe qytetit tonë me këtë rast.", u shpreh Josef Minga.
“Orkestracioni është i ri dhe më vjen mirë se këngët sillen me orkestracione të tjera, marrin vlera të tjera. Serenata korcare është traditë. Edhe të rinjtë e këndojnë.", theksoi Mihallaq Andrea.
“Korça është dashnorja e Shkodrës. Pra, për Korçën kemi nostalgji në çdo rrugicë. Puna e bukur këtu, është e treta herë që marr pjesë. Serenata është kompasti i bukurisë së Korçës, dimri i gjatë, vera e bukur me bollëk prurjesh artistike. Në dimër njerëzit krijojnë e qajnë dhe ka ngelur një modë që sjell kulturë të veçantë te Shqipëria. Çdo qytet ka këngën e tyre serenatë, por Korça ka një oqean të madh me serenata. Ne e kemi dashuruar Korçën.”, tha Frederik Ndoci.
Korça është një vend që i mbledh të gjithë, ku muzika bëhet gjuhë e përbashkët e shpirtit dhe “Serenight” e konfirmoi edhe një herë se ky qytet mbetet kryeqyteti i serenatave, duke dhuruar magji, kujtime dhe muzikë që bashkon breza.
Komente
