KORÇË- "Karnavalet e Korçës një traditë e hershme e qytetit juglindor, këtë vit vijnë në një formë të veçantë. Shkrepe Karnaval, ka 10 minigrupe të cilat performojnë në lagje dhe rrugicat karakteristike të qytetit duke ruajtur distancën nga njeri - tjetri dhe duke shmangur grumbullimet masive".
Kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo dhe drejtoresha e qendrës kulturore, Blerta Belliu, u shprehen se në këto karnavale ndryshe nga vitet e kaluara për shkak të pandemisë COVID, nuk do te vijnë qytetaret në karnavale, por ato do të shkojë tek ta.
“Nuk do të jetë më një festival masiv, por do të kemi disa grupe që do të performojnë në disa pika të ndryshme të qytetit për të ofrua atmosferë të gëzueshme. Risi tjetër është thirrja që ju kemi bërë qytetareve që të vishen si karnaval, të shkrepin foton e tyre dhe ti hedhin në rrjetet sociale”, u shpreh kryetari i bashkisë Korçë.
“Këtë vit ndryshe nga vitet e tjera do të jetë një karnaval pak më i vogël, por sigurisht pa humbur efektin dhe vlerën që ka. Motoja e këtij viti është që nuk do të vini ju tek karnavalet, por ato vijnë tek ju”, tha drejtoresha e qendrës kulturore Korçë.
Për të memorizuar një kujtim të bukur nga kjo festë, qytetarët pjesëmarrës shkrepën edhe nga një foto karnaval në rrugët e qytetit.
"Edhe pse me rregulla të reja Karnavalet sërish sollën në qytet atmosferë feste, gjallëri, ngjyra kostume, personazhe dhe maska".
Karnavalet e Korçës për shkak të COVID-19 u shtynë me një muaj. Ato shënojnë çeljen e sezonit turistik, ndërsa fillesat janë që para viteve 1940, periudhë në të cilën jeta kulturore në këtë qytet ka qenë e larmishme.