Korça ka veshur ngjyrat e festës, teksa ka nisur zyrtarisht edicioni i 18-të i Karnavaleve, një nga aktivitetet më të dashura për qytetin dhe një atraksion i spikatur turistik për vizitorët e shumtë. Rrugët e qytetit janë pushtuar nga muzika, ritmet, kostumet e larmishme dhe buzëqeshjet që shoqërojnë më shumë se 400 pjesëmarrës të veshur me kostume karnavalesh.
Në këtë edicion marrin pjesë 30 grupe artistike nga Shqipëria, si dhe 5 grupe ndërkombëtare që përfaqësojnë Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë, Poloninë, Malin e Zi dhe Greqinë. Një përzierje e kulturave, stileve dhe energjisë artistike që kthejnë Korçën në një skenë të hapur festive.
“Korça çdo vit bën më të mirën që të kthejë eventin e karnavaleve në një event turistik. Jam e lumtur që këtë vit, përveç grupeve të Korçës, janë personazhe të rinj. Qyteti do të jetë në një festë të paparë. Do të kemi Poloninë, Bullgarinë, RMV dhe shumë grupe nga jashtë, por edhe grupet tona që janë 30. Sot do të fillojmë pak me karnavalet e Korçës, me polakët, dhe me disa grupe që do t’i paraprijnë karnavalit të madh në 18:00. Do të jetë paradë nga bulevardi kryesor, për të vazhduar në katedrale dhe për të kulmuar në 00:00 në sheshin e pazarit.”, tha organizatorja Blerta Belliu.
Gjatë gjithë ditës, grupet do të performojnë dhe parakalojnë në rrugët kryesore të qytetit, duke krijuar një atmosferë të gjallë dhe shumëngjyrëshe për banorët dhe turistët, të cilët këtë fundjavë kanë mbushur qytetin juglindor.
“Ne vijmë nga Polonia, jemi shumë të lumtur që jemi sot këtu. Është hera e parë që vijmë në Karnavalet e Korçës. Kostumet tona kanë për qëllim të bëjnë fëmijet e lumtur.”, tha grupi Panda nga Polonia.
“Ne vijmë nga Bullgaria, jemi veshur me kostume tradicionale të bera nga lekura e kafshëve dhe me zile të cilat kanë për qëllim largimin e shpirtrave të lig. Është hera jonë e parë që marrim pjesë në Korce, atmosfera është fantastike.” u shprehën pjesëtarët e grupit nga Bullgaria.
“Ne jemi perfaqesueset e Greqisë, jemi një studio piktorësh dhe kishim dëshirë të vinim këtu. E kemi quajtur grupi Kargonval për vetë faktin se kargolo në greqisht do të thotë qymyr dhe në vendin tonë u mbyll fabrika e qymyrit dhe kjo solli pasojë ekonomike në zonë. Shpresoj që t’ia kalojmë shumë bukur të gjithë”, tha grupi grek.
Ky edicion i Karnavaleve sjell një shumëllojshmëri të kostumeve të reja dhe personazheve që marrin pjesë për herë të parë
Momentet më kulmore të festës pritet të jenë në orën 19:00, kur do të mbahet parada madhështore në bulevardin “Republika”, me të gjitha grupet që do të prezantojnë koreografitë, kostumet dhe performancat e tyre në një spektakël të hapur për publikun.
Karnavalet e Korçës, që kanë nisur si një festë tradicionale, sot janë kthyer në një ngjarje me përmasa rajonale, që promovon kulturën, artin dhe turizmin, duke e kthyer qytetin në një qendër të gjallë të festës dhe ngjyrave.
Komente
