Kronikë

Korçë/ Aksion për zhurmat në zonat turistike, e pësojnë 3 subjektet e para, 20 mijë lekë të rinj gjobë (VIDEO)

30 Qershor, 12:54| Përditesimi: 30 Qershor, 16:55

  • Share

Korçë- Policia e Korçës nis aksionin edhe për ndotjen akustike, zhurmat në lokalet e natës dhe shkeljen e orarit në ambiente të hapura apo zona të banuara.

Ndëshkohen 3 subjektet e para të kapura në shkelje, të cilët gjithashtu janë gjobitur me 20 mijë lekë të rinj gjobë.

“Si rezultat i verifikimeve të deritanishme, janë konstatuar 3 subjekte që operonin në kundërshtim me normat ligjore për nivelin e zhurmës. Ndaj këtyre subjekteve janë vënë masa administrative me vlerë 200 000 lekë secila”, bëri me dije policia vendore.

Krahas matjes së nivelit të zhurmës, strukturat përgjegjëse kanë ushtruar kontrolle edhe për respektimin e orarit të lejuar për muzikën në ambiente të hapura, në zona apo qendra të banuara, i cili është nga ora 11:00 deri në orën 24:00.

Ky aksion vjen në vijim të masave sensibilizuese, kryesisht në zonat turistike të qarkut dhe në atë urbane, ku ndjeshmëria është më e lartë te qytetarët që shqetësohen nga ndotja akustike.

Njoftimi i Policisë së Korçës:

“Në vijim të masave sensibilizuese, janë organizuar takime informuese me administratorë/pronarë subjektesh, kryesisht në zonat turistike, aktivitetet e të cilëve gjenerojnë zhurma nga muzika.

Gjithashtu, ka nisur zbatimi i detyrave të parashikuara në planin e masave për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit turistik veror.

Strukturat e sigurisë publike të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, gjatë ditëve të fundit, sipas hartëzimit të zonave me ndotje akustike, kanë organizuar grupe kontrolli në terren.

Në kuadër të këtyre kontrolleve, janë testuar me matës të zhurmës, disa ambiente dhe subjekte, të hapura dhe të mbyllura, në zona turistike, për verifikimin e respektimit të nivelit kufi të lejuar të zhurmës, të përcaktuar në ligjin nr. 9774, datë 12.07.2007 “Për administrimin e zhurmës në mjedis”, i ndryshuar.

Matjet janë bërë sipas kushteve të përcaktuara në procedurën standarde për kontrollin e ndotjes akustike.

Masat adminstrative për subjektet që konstatohen në shkelje, variojnë 200 000-400 000 lekë, dhe në rast përsëritjeje, pezullim të aktivitetit.

Si rezultat i verifikimeve të deritanishme, janë konstatuar 3 subjekte që operonin në kundërshtim me normat ligjore për nivelin e zhurmës. Ndaj këtyre subjekteve janë vënë masa administrative me vlerë 200 000 lekë secila.

Krahas matjes së nivelit të zhurmës, strukturat përgjegjëse kanë ushtruar kontrolle edhe për respektimin e orarit të lejuar për muzikën në ambiente të hapura, në zona apo qendra të banuara, i cili është nga ora 11:00 deri në orën 24:00.

Policia e Korçës mbetet e angazhuar dhe e vendosur për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurtë për banorët dhe vizitorët”.

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nis gjyqi për aferën Partizani, a besoni se do ketë drejtësi?