Korçë- Ka përfunduar seanca për masën e sigurisë në spital për autorin e plagosjes Aleks Qiqi. Togat e zeza kanë vendosur masën e "arrestit në burg" për 41-vjeçarin i cili pak ditë më parë plagosi me thikë një 27- vjeçar në fshatin Dvoran të Korçës.
Prokuroria kërkoi masën e arrestit në burg, ç'ka u pranua nga Gjykata e Korçës. Masa u dha në ambientet e spitalit, ku autori i dyshuar po trajtohet.
Më herët (po ditën e sotme, 18 gusht), Gjykata kishte caktuar masën detyrim paraqitje për 3 prej të arrestuarve, ndërsa për njërin prej tyre u vendos të hetohet në gjendje të lirë. Konkretisht në masë detyrim paraqitje u lanë Isuf Dalip, Dhimitër Kodra dhe Bilal Shkëmbi, ndërsa në gjendje të lirë do hetohet Thanas Paskali. Ata akuzoheshin se dhunuan autorin Qiqi pasi ky plagosi me thikë 27-vjeçarin pas sherrit.
Ekspertiza mjeko-ligjore ka konkluduar se Aleks Qiqi u plagos lehtë nga katër të arrestuarit, pak pasi sulmoi dhe goditi me thikë Ari Kodrën, që mori plagë në shpatull dhe shumë pranë zemrës.
Këta të fundit akuzohen se pasi Qiqi plagosi me thikë 27 vjeçarin Ari Kodra, reaguan duke e goditur. Qiqi ishte person me precedentë të shumtë penalë për plagosje dhe drogë, në Shqipëri dhe në Greqi, ku jetonte herë pas here. Së fundmi ishte arrestuar dhe dënuar për drogë, teksa ishte liruar nga burgu disa javë më parë.
Të dy personat kanë qenë në të njëjtën tavolinë lokali bashkë me persona të tjerë dhe pas ngacmimeve me fjalë Qiqi ka shkuar në shtëpi për të marrë thikën, duke plagosur Kodrën. Në këto momente personat e tjerë sulmuan Qiqin me grushte e shkelma, duke e dëmtuar lehtë.
Komente
