KORÇË- Policia Kufitare dhe Antidroga e Korçës parandaluan një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike në drejtim të Greqisë, duke sekuestruar mbi 32 kg kanabis sativa. Shërbimet e policisë, gjatë patrullimit në vijën kufitare mbi fshatrat Vidohovë dhe Ponçarë të Devollit, midis piramidave 43 dhe 44, konstatuan dy persona që transportonin dy çanta të dyshimta.
Në momentin që pikasën policinë, të dy braktisën çantat dhe u larguan në thellësi të territorit grek. Menjëherë u njoftuan edhe shërbimet e policisë greke për bashkëpunim për kapjen e tyre. Nga këqyrja e çantave, grupi hetimor konstatoi se brenda tyre ndodheshin 20 pako me lëndë narkotike, me një peshë totale prej 32.3 kg.
Deri më tani, pas hetimeve nga Antidroga, është mundur të identifikohet vetëm njëri prej tyre, por për efekt të hetimit nuk bëhet me dije identiteti, ndërsa vijon puna për identifikimin e tjetrit. Policia ka dyshime edhe për persona të tjerë të përfshirë në trafikim, ndërsa në fokus të hetimit është edhe origjina e lëndës narkotike.
"Sekuestrohen rreth 32.3 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Tentuan të transportonin me dy çanta nëpërmjet kufirit të gjelbër drejt Greqisë 20 pako me lëndë narkotike kanabis, shpallet në kërkim 1 shtetas dhe vijon puna për identifikimin edhe të autorit dhe kapjen e tyre.
Shërbimet e Seksionit për Hetimit në DVKM dhe patrulla e Policisë Kufitare që patrullonin në vijën kufitare me Greqinë mbi fshatrat Vidohovë dhe Ponçarë të Devollit , midis piramidave 43 dhe 44, kanë konstatuar në largësi dy shtetas që transportonin dy çanta ku dyshohej se brenda tyre kishte lëndë narkotike.
Shërbimet e Policisë Kufitare janë vënë në ndjekje të tyre dhe kanë njoftuar dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë. Dy shtetasit që transportonin çantat kur kanë parë punonjësit e Policisë kanë braktisur çantat e krahut dhe janë larguar në thellësi të kufirit , ku janë njoftuar edhe shërbimet e Policisë Kufitare Greke.
Nga këqyrja e çantave , grupi hetimor konstatoi se në brendësi të tyre kishte 20 pako të mbushura me lëndë narkotike me peshë totale 32.3 kilogramë. Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Korçë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë kanë bërë të mundur identifikimin e njërit prej personave të dyshuar që transportonte lëndën narkotike ku për arsye hetimi nuk bëjmë me dije gjeneralitetet e tij. Vijon puna për identifikimin autorit tjetër dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë tentativë për trafikim të narkotikëve", njoftoi Policia e Korçës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Komente
