KORÇË - Rreth orës 18:15, në Pediatrinë e Spitalit të Korçës janë dërguar nga familjarët për të marrë ndihmë mjekësore 3 motra, të moshave 3, 7 dhe 10 vjeç.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se tre motrat kanë konsumuar disa karamele të gjetura pranë një koshi mbeturinash në një rrugë të lagjes nr.10, të cilat dyshohet se kanë përmbajtje të esencës së lëndëve narkotike (hashash). Nga ana e policisë është konfirmuar totalisht që karamelet janë gjetur në koshin e mbeturinave dhe nuk ua ka dhënë asnjë person tjetër.
Burime nga bluzat e bardha bëjnë me dije se në gjendje të rëndë shëndetësore është vetëm 3-vjeçarja, e cila në këto momente po intubohet në reanimacionin e spitalit të Korçës. Dy vajzat e tjera fatmirësisht e kanë kaluar rrezikun për jetën dhe ndodhen në gjendje stabile nën kujdesin e mjekëve në pediatri.
Hetimet vijojnë lidhur me ngjarjen e rëndë, ndërsa po pyeten të gjithë familjarët dhe të afërmit e të miturave.
"Rreth orës 18:15, në Pediatrinë e Spitalit të Korçës janë dërguar nga familjarët për të marrë ndihmë mjekësore 3 fëmijë, të moshave 3, 7 dhe 10 vjeç. Sipas deklarimeve të familjarëve, dyshohet se fëmijët kanë konsumuar disa karamele, të cilat i kanë gjetur në rrugë, pranë një koshi mbeturinash. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes",- thuhej më herët në njoftimin e policisë.
Komente
