Korçë- Shkelën urdhrin e Ministrisë së Bujqësisë dhe matrikuluan 120 bagëti (gjedhë dhe bagëti të imta) të kontrabanduara nga Greqia, arrestohen 4 veterinerë, shpallet në kërkim tregtari 39-vjeçar i dyshuar dhe merren nën hetim 3 personat që i mbajtën kafshët në stallat e tyre.
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Policinë e Korçës njoftoi sot se ka finalizuar operacionin policor të koduar “Matrikulli”.
“Të gjitha këto veprime janë kryer në shkelje të urdhrit të ministrit së Bujqësisë, për ndalimin e përkohshëm të lëvizjes së kafshëve të imta”, njoftoi policia vendore.
Të arrestuar për shpërdorim të detyrës janë veterinerët Baki Myrtollari, 64 vjeç, banues në Durrës, Kujtim Agolli, 57 vjeç, banues në Korçë, Demir Koritari, 64 vjeç, banues në Maliq, punonjës të Autoritetit Kombëtar Veterinar dhe Mbrojtjes së Bimëve, dega Devoll. Gjithashtu edhe Ergys Lame, 39 vjeç, banues në Devoll, punonjës (veteriner) i Autoritetit Kombëtar Veterinar dhe Mbrojtjes së Bimëve, dega Devoll, që do ketë edhe akuzën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm.
Në kërkim u shpall G. M., 39 vjeç, banues në Devoll, i dyshuar për veprat penale "kondrabanda me mallra të tjera", "ruajtja dhe depozitimi i mallrave kondrabandë", "tregtimi apo transportimi i mallrave kondrabandë", "fshehja e të ardhurave" dhe "mospagimi i taksave dhe tatimeve".
U referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për M. M., 40 vjeç, banues në fshatin Voskop, E. Z., 48 vjeç, banues në Bilisht, dhe R. Zh., 57 vjeç, banues në fshatin Tren, për veprën penale "ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë".
“Nga hetimet dyshohet se shtetasi i shpallur në kërkim G. M., ka kontrabanduar nga Greqia, 100 bagëti të imta dhe 20 gjedhë. Më pas, dyshohet se në bashkëpunim me shtetasit e arrestuar (veterinerët) i kanë matrikulluar bagëtitë dhe gjedhët, me matrikullat që kanë marrë nga zyra e veterinarisë në Devoll. 3 shtetasit e proceduar dyshohet se kanë mbajtur në stallat e tyre, bagëtitë dhe gjedhët e kontrabanduara nga 39-vjeçari”, sqaroi policia vendore.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Komente
