Korçë/ Në 2023 mbi 200 biznese të vogla aplikuan për çregjistrim biznesi! Ekspertja: Shkak inflacioni dhe emigrimi, të mbështeten me fonde e ulje taksash

21 Janar, 15:33| Përditesimi: 21 Janar, 15:39

  • Share

Kryeqendra e juglindjes po përballet me një ulje të numrit të bizneseve të vogla. Numri i lartë i turistëve duket se nuk po i shërben Korçës për të shtuar numrin e bizneseve të vogla.

Sipas të dhënave nga Bashkia Korçë subjekte të regjistruara në vitin 2022 kanë qenë 417 të tillë, ndërsa në vitin që lamë pas ishin vetëm 333. Por nga ana tjetër janë 205 biznese që kanë kërkuar të çregjistrohen gjatë vitit që lamë pas.

Shkaqet për këtë situatë sipas ekspertes Junada Sulillari janë kryesisht, inflacioni, kursi i këmbimit dhe emigrimi.

“Bizneset e vogla janë ato që po përballojnë kostot më të mëdha të kësaj situate inflacioniste sepse biznese të tilla e kanë më të vështirë për të gjeneruar të ardhura dhe e kanë më të vështirë për të përballuar kosto të shtuara në të gjitha hallkat e furnizimit. Një pjesë e të rinjve kanë zgjedhur të ikin jashtë vendit, ka ndikuar edhe tek ulja e numrit të bizneseve të hapura, apo tek mbyllja e bizneseve ekzistuese”,- shprehet Sulillari.

Ekspertja thotë se inflacioni i ka shtuar kostot biznesit të vogël që përdoren dhe si burim i vetëm i të ardhurave për shumë familje të Korçës, teksa sugjeron që të mbështeten financiarisht sidomos sipërmarrësit e rinj.

“Një pjesë e të rinjve nuk kanë nxitjen apo motivimin për të krijuar një biznes, dhe për tu shndërruar në sipërmarrës. Fakti që ka biznese të reja që po krijohen, tregon se ka sipërmarrës që janë të vendosur që të vazhdojnë me punën e tyre. Ofrimi i një mbështetje më të madhe për bizneset, për pjesën e taksave lokale apo një sërë nismash që mund të lidhen me politikat e zhvillimit të rajonit. Duhet më shumë mbështetje më e madhe financiare për bizneset e reja apo STRAT UP, që ti nxisë të rinjtë për tu bërë sipërmarrës”,- thotë pedagogia e Fakultetit Ekonomik në Korçë.

Në të gjithë qarkun e Korçës numri aktiv i bizneseve arrin në 4758, dhe pjesa më e madhe e tyre 2945 janë biznese të vogla, sipas të dhënave nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve në Korçë.

K.M//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?