Korçë- Një 32-vjeçar banues në Maqedoninë e Veriut ka rënë në prangat e policisë në pikën kufitare të Qafë Thanës.
I riu ishte shpallur në kërkim nga Gjermania për mashtrim. I arrestuari pritet të ekstradohet drejt Gjermanisë.
“Në vijim të punës intensive të shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare dhe kapjen e shtetasve në kërkim apo të atyre që tentojnë në kalojnë kufirin, në mënyrë të parregullt, janë kapur 2 shtetas në kërkim dhe është goditur 1 rast i tentativës për të kaluar kufirin, me pasaportë me vulë false, konkretisht:
1-në PKK Qafë Thanë, në hyrje të RSh-së, u kap shtetasi F. A., 32 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut, pasi nga verifikimet rezultoi i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ëiesbanden/Gjermani, për veprën penale "Mashtrimi". Interpol Tirana do të kryejë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Gjermani”, njoftoi sot policia.
Në pikën kufitare të Kapshticës është arrestuar edhe një 21-vjeçar i shpallur në kërkim kombëtar për armëmbajtje pa leje.
Ndërkohë në gjendje të lirë do të hetohet edhe një person që tentoi të kalonte kufirin, me pasaportë me vulë false.
“Në PKK Kapshticë, në hyrje të RSh-së, u kap shtetasi E. K., 21 vjeç, banues në fshatin Selenicë e Pishës, pasi Gjykata e Korçës e ka dënuar me 4 muaj burgim, për veprën penale "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta".
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin I. A., 55 vjeç, banues në fshatin Plasë, pasi në PKK Kapshticë, në dalje të RSh-së, gjatë verifikimit të dokumentacionit, në pasaportën e tij është konstatuar një vulë e dyshuar e falsifikuar”, thuhet më tej në njoftim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
Komente
