Operacioni në 'Voskop'/Zbulohet drogë, lirohet kryeplaku i fshatit! 3 arrestohen, ujitësi i kanabisit në kërkim (VIDEO)

26 Gusht 2020, 08:51| Përditesimi: 26 Gusht 2020, 10:54

  • Share

KORÇË- Lirohet nga qelia kryeplaku i fshatit Voskop, Oltian Shaholli, pasi ndalimi i tij nga policia është konsideruar si i paligjshëm nga prokuroria e rrethit. Në pranga për kultivimin e lëndëve narkotike prej rreth 60 rrënjë, kanë rënë dy kushërinjtë Muhamet Shaholli dhe Elvis Shaholli.

Gjithashtu në pranga për akuzën e “Kultivimit të lëndëve narkotike ka rënë” Ilirjan Zaçe, ndërsa është shpallur në kërkim djali i tij Davis Zaçe, nga fshati Voskop i Korçës. Operacioni policor është drejtuar nga prokurori i Korçës Gentian Stoja,pasi nga informacionet paraprake të policisë rezulton se Elvis Shaholli në bashkëpunim me Muhamet Shaholli, kanë mbjellë një parcele me bime narkotike në një faqe mali të pyllëzuar në krahun e majtë të rrugës Voskop-Lavdar. Në vendin e quajtur “Lumi i mullirit” midis fshatrave Polenë-Lavdar-Voskop, mali i Gravan, në vendin ku dyshohej se kishte parcelë e mbjelle me bimë narkotike, në një territor afërsisht 100 m2 janë konstatuar të kultivuara rreth 60 rrënjë bimë narkotike “Cannabis Sattiva”.

Kjo parcelë e mbjellë me bimë të dyshuara narkotike është fotografuar dhe filmuar nga policia gjyqësore. Në vendin e përcaktuar me autorizim të prokurorit Gentian Stoja, policia ka organizuar vëzhgim dhe ka konstatuar se në parcelë ndodheshin Muhamet Shaholli dhe Davis Zaçe, të cilët po kryenin veprime aktive kultivuese duke ujitur bimët narkotike. Pas ndërhyrjes së punonjësve të policisë këta janë larguar me vrap nga parcela, por Muhamet Shaholli, është kapur nga punonjësit e policisë, ndërsa Davis Zaçe, është larguar me vrap duke përfituar edhe nga tereni i thyer malor.

Pas këtij veprimi policia ka ushtruar kontroll në banesën e Davis Zaçes, ku janë konstatuar të mbjella 5 rrënjë bimë të dyshuara si “Cannabis Sativa”. Lidhur më këto bimë Ilirjan Zaçe ka deklaruar se këto bimë kanë qenë mbjellë prej tij, por nuk provohet se ai ka lidhje ose dijeni, për parcelën e mbjelle me bimë narkotike. Pas veprimeve me mjete speciale si përgjime dhe fotografim është mundur të provohet se në këtë aktivitet kriminal është i implikuar dhe Elvis Shaholli. Në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe një sasi prej 65 fishekë automatiku kallashnikovi.

Lidhur me këtë ngjarje policia ka arrestuar dhe kryeplakun e Oltian Shaholli, për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, por nga ana e prokurorit është vlerësuar se në këtë rast arrestimi i kryeplakut, ka qenë i paligjshëm dhe për rrjedhojë është urdhëruar lirimi i menjëhershëm i tij.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?