Korçë-Një prift në Korçë është rrëzuar nga çatia e kishës mesditën e sotme. Mësohet se prifti Kristaq Viso u rrëzua teksa po hiqte disa tjegulla dhe llamarina. Nga vjetërsia dhe kalbja e pjesës së tavanit, prifti ka rënë brenda ambjenteve të kishës pasi struktura është shembur.
Burime nga vendi i ngjarjes raportojnë se kisha është e vjetër dhe do të rikonstruktohej së shpejti, ndaj dhe prifti kishte hipur në çati për të hequr materialet të cilat mund ti hynin në punë. Në momentin e ngjarjes, në kishë ndodheshin dy priftërinj, njëri jashtë ambjenteve të kishës dhe tjetri mbi çati.
Për shkak të dëmtimeve të shumta që ka marrë në kokë, me kërkesë të kryepeshkopit Joan, prifti është nisur me urgjencë drejt Tiranës me helikopterin e ushtrisë.
"Rreth orës 11:00, në lagjen nr. 14, dyshohet se aksidentalisht ka rënë nga çatia e kishës ku shërben si prift, shtetasi K. V., rreth 63 vjeç, i cili u dërgua në spital, për ndihmë mjekësore", njoftoi sot policia.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Komente
