Korçë- Dy persona u arrestuan dhe 5 të tjerë u proceduan penalisht për vepra të ndryshme penale, si shantazhimi me foto intime në rrjetet sociale, aksident me pasojë plagosjen, dhunë në familje dhe konflikt fizik.
Komisariati i Policisë Devoll njoftoi sot (27 Dhjetor) se arrestoi në flagrancë I. N., 20 vjeç, pasi dyshohet se ka shpërndarë në rrjete sociale foto intime të një shtetaseje të mitur.
Pas denoncimit të të dëmtuarës, celulari i tij u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, për veprime të mëtejshme hetimore.
Kurse për aksidentin e ndodhur dje në Pogradec, në unazën e qytetit të Pogradecit, si pasojë e të cilit u dëmtua një këmbësore, Sektori i Policisë Rrugore arrestoi në flagrancë drejtuesen e mjetit, shtetasen E. Sh., 28 vjeçe, banuese në Korçë, për veprën penale “shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi për 48-vjeçarin E. Ç., dhe 29-vjeçarin D. K., 29 vjeç, pasi automjeti me drejtues personin e parë, është përplasur me monopatinën me drejtues tjetrin, teksa u plagos lehtë ky i fundit.
Nën procedim u mor edhe i dyshuari O. L., 48 vjeç, banues në fshatin Bulgarec, që akuzohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe vajzave të tyre të mitura, të cilat u pajisën me urdhër mbrojtjeje. Dy të fundit u proceduan V. L., 33 vjeç dhe R. L., 24 vjeç, pasi janë konfliktuar me një 48-vjeçar, për motive të dobëta.