Korçë- Shantazhonin për ta zhvatur një person duke e shtyrë edhe drejt tentativës së vetëvrasjes, shpallet në kërkim 43-vjeçarja nga Vlora dhe merret nën akuzë ndihmësi i saj 29-vjeçar, nga fshati Vashtmi.
Policia e Korçës publikoi sot edhe detajet nga hetimet e deritanishme dhe personat e përfshirë në këtë ngjarje kriminale.
Në kërkim mësohet se është shpallur 43-vjeçarja me inicialet V. K., banuese në Vlorë, ndërsa u referuan materialet në Prokurori për procedim në gjendje të lirë për R. A., 29 vjeç.
“Nga hetimet e deritanishme dyshohet se ata kanë kanosur E. L., nëpërmjet mesazheve telefonike, për dhënie pasurie. Këto mesazhe dyshohet se kanë rënduar gjendjen psikologjike të tij, i cili më datë 28 qershor tentoi të vetëvritej, duke konsumuar një substancë kimike (Klor)”, bëri me dije policia vendore.
Pas marrjes së informacioneve dhe hetimeve paraprake, nga kontrolli në banesën e 29-vjeçarit që po ndiqet në gjendje të lirë, u gjet 1 armë sportive të cilën e mbante pa leje, si dhe një shumë eurosh të dyshuara false.
“Po punohet për kapjen e 43-vjeçares, si dhe në drejtimin e Prokurorisë, punohet për dokumentimin me prova ligjore të rrethanave të rastit”, sqaroi policia, por pa dhënë detaje për shkaqet pse i kërkoheshin paratë personit që tentoi flijimin.
Komente
