KORÇË – Përplasja fizike mes 2 grupeve mbrëmjen e sotme (31 gusht 2025) në një lokal në zonën e parkut të Korçës ka përfunduar në plagosjen me thikë të 2 prej të përfshirëve në konflikt.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se njëri prej të plagosurve është goditur me mjetin prerës në gjoks, ndërkohë që policia thotë se të 2 të dëmtuarit, nga 31 vjeç, janë shtruar në spitalin e Korçës, ku po marrin ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
"Rreth orës 21:30, në lagjen nr. 1, Korçë, në ambientet e një lokali, gjatë një konflikti për motive të dobëta, janë dëmtuar, dyshohet me mjet prerës (thikë), shtetasit S. Sh. dhe M. Xh., të cilët po marrin ndihmë mjekësore në spital, jashtë rrezikut për jetën",- njofton policia.
Në komisariat, deri tani blutë bëjnë me dije se kanë shoqëruar të paktën 3 nga të përfshirët në konflikt, të cilët dyshohet se janë dhe autorët e plagosjeve. Ata janë Ilir Shuku, 52 vjeç, Dritan Pine, 37 vjeç, dhe Gersi Dervishi, 54 vjeç.
"Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme, tre shtetas të tjerë të përfshirë në konflikt, të dyshuar si autorë, konkretisht shtetasit I. Sh., D. P. dhe G. D.",- njofton policia më tej.
Po ashtu, policia ka marrë në komisariat dhe disa të tjerë për deklarime, ndërkohë që grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Komente
