Korçë- Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Korçës pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin shisnin kanabis të ndarë në doza.
Sipas bluve bëhet me dije Andrea Barmashi me masë sigurie “Arrest në shtëpi” përgatiste dozat ndërsa Taulant Gjatolli i shiste në qytet.
Gjatë kontrollit fizik, blutë i sekuestruan dozat e kanabisit si provë materiale.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme "Shqiponja", si rezultat i veprimeve hetimore të kryera pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, goditën një rast të shitjes së lëndëve narkotike, në doza. Në vijim të veprimeve për këtë rast, në kuadër të operacionit të koduar "Porta", u arrestuan në flagrancë për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", kryer në bashkëpunim, shtetasit:
A. B., 35 vjeç, banues në Korçë, aktualisht me masë sigurie "Arrest në shtëpi", për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve";
T. Gj., 31 vjeç, banues në fshatin Bulgarec, aktualisht me masë “Detyrim paraqitjeje”, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.
Shtetasi T. Gj. u kap në flagrancë, në lagjen nr. 18., Korçë, me doza të lëndës së dyshuar narkotike kanabis, të cilat sapo ia kishte marrë shtetasit A. B., me qëllim shitjen në qytet.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Komente
