Korçë- Një 18-vjeçar nga Siria ka rënë në prangat e policisë në Korçë. I riu ndihmonte emigrantë nga Vendet e Treta, që të kalonin ilegalisht kufirin jeshil me Greqinë, me qëllim kalimin në Mal të Zi dhe më pas në vendet e BE-së.
Ai u kap në flagrancë gjatë natës, në fshatin Vidohovë, duke shoqëruar 6 egjiptianë dhe sirianë (4 prej të cilëve ishin të mitur).
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë dhe me Prokurorinë e Korçës, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Lugina 2”. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi sirian:
M. H., 18 vjeç, për veprën penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve".
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë sirianë, ndihmonte emigrantë nga Vendet e Treta, kundrejt pagesës, që të kalonin ilegalisht në Shqipëri, nëpërmjet kufirit tokësor me Greqinë.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Komente
