Korçë - Dy persona kanë rënë në prangat e policisë në pikën kufitare të Kapshticës pasi tentuan të fusnin në Shqipëri produkte ushqimore, medikamente, produkte medicinale për bimët, ikona kulti dhe disa aparate celularë.
Të arrestuarit janë identifikuar si Ardian Kondili drejtues autobuzi dhe Denis Çela drejtues veture
Uniformat blu sekuestruan mallrat e futura kontrabandë si provë materiale.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë kanë intensifikuar kontrollet në kufirin jeshil dhe në pikat e kalimit kufitar, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Si rezultat i kontrolleve të shtuara, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, shërbimet e Policisë Kufitare kaluan në vijë të dytë për kontroll të detajuar automjetin me drejtues shtetasin D. Ç., 37 vjeç, banues në fshatin Papër, Elbasan dhe një autobus me drejtues shtetasin A. K., 58 vjeç, banues në fshatin Drenovë,Korçë.
1. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, u konstatuan të fshehura një sasi produktesh ushqimore dhe produkte medicinale për bimët, të cilat shtetasi D. Ç., tentonte t’i fuste në Shqipëri pa i deklaruar.
2. Gjatë kontrollit të ushtruar në autobusin që drejtohej nga shtetasi A.K, u konstatuan të fshehura në pjesën e brendshme të derës së autobusit, një numër i konsiderueshëm ikonash kulti, një sasi medikamentesh, 2 aparat celularë dhe disa pajise automjetesh, të cilat shtetasi A. K., tentoi t'i fuste kontrabandë në Shqipëri, pa i deklaruar në kundërshtim me ligjin.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë arrestuan në flagrancë shtetasit:
D. Ç., për veprat penale “Kontrabanda me mallra të licencuar” dhe "Kontrabanda me mallra të tjerë" dhe A. K., për veprën penale "Kontrabanda me mallra të tjerë".
Mallrat e konstatuara dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Komente
