Korçë- Policia e Korçës ka arrestuar dy persona dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë, pasi dyshohet se tentuan të trafikonin në Greqi vitin e kaluar 56 kg kanabis, që e kishin fshehur në 44 shufra metalike të montuara në tavanin e kamionit.
Një prej të arrestuarve është Enis Mara, 38 vjeç banues në Tiranë, ndërsa personi tjetër është një 62 vjeçar me inicialet I. O., banues në Durrës.
38-vjeçari u shpall në kërkim në 19 nëntor 2024, pas arrestimit babë e bir, Dashmir Hamazaraj dhe Amanti Hamazaraj në Kapshticë.
"Si rezultat i një hetimi 6-mujor të kryer me metoda proaktive, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Korçë, në drejtimin e Prokurorisë së Korçës, për një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike, në Greqi, u finalizua faza e dytë e operacionit policor antidrogë të koduar “Shufrat”. Gjatë kësaj faze:
U ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit E. M., 38 vjeç, banues në Tiranë dhe I. O., 62 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale "Trafikim i narkotikëve", kryer në bashkëpunim. (Shtetasi I. O., aktualisht i arrestuar në Malin e Zi, për të njëjtën vepër penale);
U shpallën në kërkim shtetasit F. K., 39 vjeç, banues në Tiranë dhe E. O., 24 vjeç, banues në Durrës, për të cilët Gjykata ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprën penale "Trafikimi i narkotikëve", kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas bashkëpunonin me 2 shtetasit që u arrestuan më datë 18.11.2024, pasi tentuan të trafikonin në Greqi, 56 kg cannabis sativa, që e kishin fshehur në 44 shufra metalike të montuara në tavanin e kamionit", informoi sot policia.
Gjithashtu, u ekzekutua masa e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a një shërbimi publik”, për një punonjës i DPSHTRR, pasi nga hetimet dyshohet se ka ndryshuar targat dhe pronësinë e automjeteve të përdorura në këtë veprimtari kriminale.
"Gjithashtu, u ekzekutua masat e sigurisë "Pezullimi i ushtrimit të një detyre a një shërbimi publik", për shtetasin A. H., 63 vjeç, banues në Tiranë, punonjës i DPSHTRR, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës", pasi nga hetimet dyshohet se ka ndryshuar targat dhe pronësinë e automjeteve të përdorura në këtë veprimtari kriminale", informoi më tej policia.
Blutë sekuestruan 1 automjet i cili dyshohet se përdorej për këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Komente
