Korçë- Tre persona janë marrë nën akuzë nga policia e Korçës, ku një prej tyre shkaktoi aksidentin rrugor ditën e djeshme, ku mbeti i plagosur edhe vetë pasi shkatërroi një nga distributorët e karburantit me të cilin u përplas.
Dy të dyshuarit e tjerë akuzohen për mosbindje ndaj Policisë Rrugore për të dorëzuar dokumentet e mjetit për kontroll dhe për sulm me thikë pas sherrit mes dy të moshuarve në qytet.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për aksidentin rrugor në aksin Korçë-Pogradec, si pasojë e të cilit u dëmtua A. L., specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për 20-vjeçarin banues në Korçë, për veprat penale “shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “shkatërrimi i pronës”, bëri me dije policia vendore sot (27 maj).
Gjithashtu, oficerët e këtij sektori nisën procedimin për E. K., 21 vjeç, banues në fshatin Vloçisht, për veprën penale “mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”. Në aksin rrugor Korçë-Pogradec, nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë, për të paraqitur dokumentacionin e automjetit.
Ndërsa i fundit u procedua R. M., 65 vjeç, banues në Korçë, që akuzohet se ka goditur me thikë pas sherrit një 67-vjeçar, në një konflikt për motive të dobëta.
Komente
