Korçë- Mëngjesin e kësaj të marte, është duke u kryer ceremonia e pritjes për viktimën Marjola Nakoleci, e cila u vra nga bashkëshorti i saj, Pandeli Nakoleci, ditën e premte (22 gusht), në Volos të Greqisë.
Trupi i pajetë i 36-vjeçares u soll gjatë pasdites të së hënës dhe do të prehet në varrezat e qytetit të Korçës.
Miq, familjarë dhe të afërm të viktimës janë duke i dhënë lamtumirën e fundit 36-vjeçares nënë e katër fëmijëve, tre prej të cilëve të mitur, dhe ndodhen në gjendje të rënduar psikologjike, teksa kanë ndaluar kategorikisht praninë e mediave.
Ceremonia mortore pritet të kryhet rreth orës 11:00 të ditës së sotme. Prezent janë familjarët e saj, përfshi edhe fëmijët që gjithashtu kanë shoqëruar trupin e nënës nga Greqia për në Korçë, për të qenë të pranishëm në ceremoninë mortore.
Paralelisht në Greqi po kryhen hetimet ndaj Pandeli Nakolecit, i cili doli sot para Gjykatës së Volosit për masë sigurie. Paso dëgjoi palët, gjykatësi miratoi kërkesën e prokurorit për izolim në paraburgim, teksa do kryhet edhe një ekspertim psikik, për shkak të gjendjes së shëndetit mendor të të dyshuarit, kërkesë kjo e avokatit mbrojtës dhe vetë 40-vjeçarit.
"I kërkoj falje fëmijëve të mi, nuk doja ta vrisja, por humba kontrollin. Nuk jam njeri i dhunshëm dhe as kam abuzuar me të", ka thënë ai mes të tjerash.
Nakoleci ka shprehur pendesë, por ka dhënë qëndrime kontradiktore gjatë gjithë kohës së marrjes në pyetje. Një herë ka thënë se nuk donte dhe i doli situata nga kontrolli. Më pas se e tradhtonte, kishte lidhje jashtëmartesore, se fëmija që kishte abortuar nuk ishte i tij dhe alibi të tjera për konfliktet e vazhdueshme në familje.
Mirëpo e kaluara e Nakolecit sipas hetuesve, është e mbushur jo vetëm me precedentë penalë për falsifikim, drogë dhe organizatë kriminale, për të cilat ka pasur edhe dënime, por edhe i skeduar me kartelë për problemet e shëndetit mendor, si në Shqipëri, ashtu edhe në Greqi.
Madje se fundmi kishte tentuar vetëvrasje dhe Prokuroria kishte urdhëruar shtrimin në Psikiatri. Nakoleci u kap një ditë pas vrasjes i fshehur në një parcelë toke me bar, që shërbente edhe si parking, vetëm 200 metra larg pallatit ku kreu krimin në familje, ngjarje e ndodhur në sy të fëmijëve të tij.
Pandeli dhe Mariola Nakoleci
Gjykata e Volosit në Greqi ka lënë në burg 40-vjeçarin pandeli Nakoleci, që akuzohet se vrau gruan e tij 36-vjeçare, Marjola, nënë e 4 fëmijëve, pas një grindjeje në familje, të premten e 22 gushtit.
Në mbrojtjen e tij, i pandehuri pretendoi se "nuk kishte qëllim vrasjeje" dhe se e vrau atë "në një shpërthim tërbimi". Ai pretendoi se "nuk kishte pasur sjellje të dhunshme në të kaluarën ndaj" viktimës dhe e deklaroi veten "të shkatërruar", duke kërkuar falje edhe ndaj fëmijëve, me pendesë të thellë.
"Nuk dija çfarë po bëja, isha në gjendje tërbimi të rëndë mendor dhe çrregullimi mendor. Nuk kisha qëllim vrasjeje. Në një shpërthim tërbimi, pa kuptuar se çfarë po bëja, ia mora jetën", tha ai para gjykatës.
Ai e deklaroi veten "thellësisht të penduar" dhe u kërkoi falje katër fëmijëve të tij.
"Do të doja ta ktheja kohën pas dhe të isha në vendin e saj. Jam fjalë për fjalë i shkatërruar, i thyer mendërisht, i dëshpëruar. Mendova t'i jepja fund jetës sime në burg", tha ai, duke rrëfyer edhe detaje pas arrestimit.
Por ky element nuk konfirmohet nga autoritetet, edhe pse gjendja e tij e shëndetit mendor është e rënduar, sipas mediave greke.
Ai mohoi se kishte përdorur dhunë ndaj gruas së tij.
"Nuk e kam detyruar kurrë të kryente marrëdhënie seksuale, nuk kam përdorur kurrë dhunë fizike ndaj saj. Ajo që thuhet nuk korrespondon me realitetin", shtoi ai.
Në përfundim të memorandumit, ai kërkon një vlerësim psikiatrik. Ai pretendoi se ishte shtruar në spital në një strukturë psikiatrike pas një tentative vetëvrasjeje dhe se po merrte ilaçe për çrregullim ankthi dhe konfuzion.
Kurse avokati i familjes së 36-vjeçares theksoi se viktima kishte vuajtur nga sjellje abuzive gjatë gjithë jetës së saj me të pandehurin.
"Mariolia po vritet për herë të dytë me atë që dëgjohet nga ana e autorit të krimit dhe kujtesa e saj po njolloset në një mënyrë të padrejtë dhe poshtëruese", tha avokati.
Kurse fëmijët e çiftit kanë rrëfyer se 40-vjeçari po e ndiqte me një thikë të madhe nënën e tyre, derisa i mori jetën.
"E kuptova që nëna ime ishte shumë e frikësuar", thotë fëmija, duke shtuar, "në një moment, ndërsa të dy prindërit e mi ishin në shtëpi, babai vrapoi te dera e kuzhinës, e cila është ngjitur me dhomën time të gjumit, dhe u drejtua për në ballkon. Atje ai kishte një kuti me vegla të ndryshme pjekjeje", thotë fëmija në dëshminë e tij.
“Ai mori njërën prej tyre, që ishte një palë pinca të mëdha që përfundonte në një thikë, dhe filloi të ndiqte nënën time. Ai u përpoq ta mbyllte derën prej druri të kuzhinës në mënyrë që babai im të mos hynte dot, por ia doli ta thyente derën. Nëna ime filloi të zbriste shkallët e pallatit dhe babai im po vraponte pas saj. Ai po e godiste me tërbim", dëshmoi vajza e madhe.
Kurse një dëshmitar tha se djali 15-vjeçar tentoi ta tërhiqte babanë nga qafa, por pa sukses.
“Një djalë 15-vjeçar e kapi këtë burrë nga beli dhe e tërhoqi me forcë jashtë, duke bërë që ai të binte në hyrje të ndërtesës së apartamenteve dhe ajo të thyhej”, tha ai.
Autori i dyshuar Pandeli Nakoleci pas arrestimit dhe viktima, Marjola Nakoleci
Greqi- Gjykata e Volosit në Greqi pritet të mbajë sot masën e sigurisë ndaj 40-vjeçarit Pandeli Nakoleci, që akuzohet se vrau pas një sherri me motive xhelozie, bashkëshorten e tij 36-vjeçare, Marjola Nakoleci, nënë e katër fëmijëve.
Masa pritet të mbahet në orën 11:00 me atë lokale greke (e njëjta orë që në Korçë zhvillohet ceremonia për të ndjerën, me orën lokale shqiptare). Media greke informon se autori përballet me akuza për ‘vrasje të qëllimshme ndaj një anëtari të familjes së tij, në kontekstin e dhunës në familje’.
Sipas ekspertizës mjeko-ligjore të kryer në Selanik, goditja fatale ndaj gruas fatkeqe ishte në gjoks nga një mjet prerës, që i ngjan një thike të madhe, ndërsa 36-vjeçarja kishte lëndime të tjera, si dhe shenja mbrojtëse në duar, një tregues se ajo u përpoq të mbrohej gjatë ndjekjes së burrit të saj.
Nakoleci pas arrestimit ka kërkuar falje dhe shprehur pendesë, por ka dhënë qëndrime kontradiktore. Ai njihet si person me precedentë penalë, disa dënime dhe i kartelizuar për probleme të shëndetit mendor.
Në të njëjtën kohë, çështja e kujdestarisë së katër fëmijëve të familjes mbetet serioze. Tre prej tyre janë të mitur, të moshës 6, 13 dhe 16 vjeç, ndërsa ka edhe një vajzë 18-vjeçare që sapo ka mbushur moshën madhore.
Me urdhër të Prokurorisë së Volosit, filloi një hetim urgjent social nga Shërbimi Social i Bashkisë Volos. Punonjësit Socialë dhe Psikologët kanë filluar kontaktet me të afërmit nga të dyja palët, me qëllim që të shqyrtojnë se cili do të ishte mjedisi më i mirë për fëmijët.
Sipas informacioneve nga mediat, dy motrat e 36-vjeçares, njëra në Skiathos dhe tjetra në Itali, kanë shprehur interes, ashtu si edhe gjyshi i saj nga babai, i cili jeton në Shqipëri. Qëllimi i fëmijëve është të qëndrojnë në Greqi dhe skenari më i mundshëm që po merret në konsideratë është caktimi i kujdestarisë tezes nga Skiathos, me mbështetje financiare nga tezja që ndodhet në Itali, sipas ERT.
Të gjitha procedurat do të përfundojnë pasi fëmijët të kthehen nga Shqipëria, ndërsa vendimin përfundimtar do ta marrë Prokuroria.
Avokati i të pandehurit, i cili mori dosjen e çështjes të hënën, pritet të kërkojë një ekzaminim psikiatrik për të shqyrtuar gjendjen mendore të 40-vjeçarit në kohën e krimit. Ata mbështeten te faktorët psikologjikë që kanë nxitur 40-vjeçarin drejt krimit në familje.
Komente
