Korçë/ Vinin baste sportive online, 2 të arrestuar, 3 në hetim

1 Mars, 11:22| Përditesimi: 1 Mars, 11:23

  • Share

Pesë raste të vendosjes së basteve sportive online në mënyrë të paligjshme janë goditur nga policia në Korçë. Në kuadër të operacionit ‘Basti i fundit’ janë arrestuar 2 persona, ndërsa 5 të tjerë janë vënë në hetim.

Pesë rastet janë goditur në lagjet nr. 9 dhe 12, Korçë, si dhe në fshatin Mborje, ndërsa janë sekuestruar edhe 5 celularë.  

“Në vijim të veprimeve për këto raste, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasit G. S., 53 vjeç; B. T., 43 vjeç banues në Korçë dhe referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit P. P., 64 vjeç, K. N., 51 vjeç banues në Korçë dhe L. M., 23 vjeç, banues në fshatin Mborje, Korçë.

Shërbimet e Policisë gjatë kontrolleve të ushtruara konkretisht, në lagjen nr. 12, konstatuan shtetasin G. S., duke vendosur baste sportive nëpërmjet telefonit. Në lagjen nr. 9, në një lokal shtetasit B. T., iu gjet në celularin e tij, një faqe që shërben për vendosjen e basteve sportive, ndërsa shtetasve P. P. dhe K.N., iu gjetën foto të basteve të vendosura, në celularët e tyre. Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në një lokal, në fshatin Mborje, shtetasit L. M., iu gjetën në celularin e tij, aplikacione për vënien e basteve sportive”, njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?