Korçë-Një 59- vjeçar ka humbur jetën sapo ka dalë nga nje klinikë dentare në qytetin e Bilishtit.
Sipas të dhënave, mësohet se 59- vjeçari ka shkuar në klinikë për të bërë një mbushje dhëmbi, dhe pasi ka mbaruar, duke dalë nga klinika është rrëzuar në tokë i pajetë.
Burime nga hetimet bëjnë me dije se 59-vjeçari me inicialet Sh. D kishte shkuar në klinikën dentare së bashku me dy djemtë, një kushëri dhe një grua të afërt. Pas mjekimit dentar, ku iu bë një mbushje, ai është ankuar disa herë, për gjendjen shëndetësore duke thënë: “S’jam mirë”.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se shkaku i vdekjes ka qenë një infarkt. Ndërkaq grupi hetimor ka sekuestruar kartelën mjekësore të pacientit, ku janë pasqyruar të gjitha procedurat e trajtimit që i janë kryer në klinikë.
Deri më tani, nuk është konstatuar ndonjë element që lidhet me ndonjë problem nga ana e dentistit, por vetëm pas daljes së ekspertizës mjeko-ligjore do të përcaktohet përfundimisht shkaku i saktë i vdekjes.
Për rastin është marrë në pyetje dentisti 36-vjeçar, i cili ka shpjeguar përpara bluve të Devollit, procedurën e ndjekur në trajtimin dentar të 59-vjeçarit që ka ndëruar jetë.
'Devoll / Informacion paraprak Rreth orës 18:10, në rrugë është marrë dhe është transportuar nga urgjenca e spitalit, pa shenja jete dhe pa shenja dhune, shtetasi Sh. D., 59 vjeç, banues në Progër.
59-vjeçari, rreth orës 17:00, ka qenë për mjekim dentar, në një klinikë ku është trajtuar nga dentisti, shtetasi B. L., 36 vjeç. Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll është shoqëruar 36-vjeçari, për t’u pyetur në lidhje me rastin', njoftoi policia.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të humbjes së jetës së 59 vjeçarit.
Komente
