Ka përfunduar në një katastrofë hedhja në ujë e anijes më të re luftarake të Marinës së Koresë së Veriut: gjatë fazës së lëshimit (rrëshqitja në det nga skela e kantierit), një rampë që mbante pjesën e pasme të anijes u bllokua, trupi i anijes mori një goditje shumë të fortë, disa pjesë të kiles u dëmtuan rëndë dhe stabiliteti i trupit të anijes u komprometua.
Pamje satelitore të shpërndara nga AirbusSpace tregojnë mjetin e rrëzuar në njërin krah, i mbuluar me çadra blu.
Nuk është zakon që Peniani të pranojë dhe të përshkruajë me kaq detaje një dështim të një ndërmarrjeje ushtarake, por këtë herë urdhri për ta bërë publik incidentin ka ardhur personalisht nga Kim Jong-un: marshali ishte i pranishëm në ceremoninë e hedhjes në ujë të mërkurën, më 21 maj, dhe shpërtheu me zemërim duke akuzuar publikisht ushtarakët, inxhinierët dhe teknikët e kantierit detar të Chongjin se kanë kryer "një krim që ka dëmtuar dinjitetin dhe krenarinë e kombit".
Kim renditi fajet e vartësve të tij: "Përvojë e pakët dhe paaftësi në drejtim, neglizhencë në operim, papërgjegjshmëri, empirizëm antishkencor".
Raporti i agjencisë shtetërore KCNA përfundon me njoftimin se incidenti do të gjykohet gjatë Plenumit të fundit të qershorit të Komitetit Qendror të Partisë së Punëtorëve, dhe se deri në atë kohë dëmet në anije duhet patjetër të jenë riparuar – megjithëse ekspertët e Koresë së Jugut shprehin dyshime të forta se kjo mund të realizohet brenda disa javësh.
Këtë vit Kim ka urdhëruar përshpejtimin e zhvillimit të Marinës ushtarake: në fund të prillit, i shoqëruar nga vajza e tij adoleshente, kishte vizituar kantierin e Nampo-s për të marrë pjesë në hedhjen në ujë të një shkatërruesi të ri prej 5.000 tonësh me kapacitet raketor. Hedhja e 25 prillit shkoi mirë dhe propaganda theksoi se ndërtimi i tij kishte zgjatur vetëm 400 ditë, si dëshmi e aftësive të industrisë ushtarake verikoreane.
Mendohet se anija e dëmtuar më 21 maj gjatë shkëputjes nga skela i përket së njëjtës klasë, “Choe Yon”, e emërtuar sipas një bashkëluftëtari të vjetër të Kim Il Sung-ut, themeluesit të Koresë së Veriut dhe dinastisë Kim.
Sipas analistëve të inteligjencës së Koresë së Jugut, në punimet për ndërtimin e klasës së re të shkatërruesve me raketa kanë marrë pjesë edhe rusët, si pjesë e shpërblimit të Moskës ndaj Penianit për dërgimin e një kontingjenti ushtarak në frontin e luftës në Ukrainë.
Për të përmbushur urdhrin e Kim-it për modernizim të përshpejtuar, është e mundur që doku në kantierin e Chongjin-it të jetë ndërtuar me nxitim: sipas raportit të KCNA-së dhe fotove satelitore, procedura parashikonte që hedhja në det të bëhej anash, jo me rrëshqitje nga prua, siç ndodh zakonisht. Pikërisht për këtë Kim ka folur për “përvojë të pakët dhe paaftësi”.
Ende nuk është e qartë pse regjimi i Koresë së Veriut, i njohur për obsesionin ndaj fshehtësisë, këtë herë ka zgjedhur të zbulojë incidentin. “Kim Jong-un pati një reagim emocional, dëshiroi ta bënte publik gabimin dhe kjo tregon sesa shumë i jep rëndësi programit të armatimit detar”, ka deklaruar për NK News profesori Andrei Lankov. Sipas tij, zemërimi i hapur i liderit suprem “do të bëjë që Koreja e Veriut të humbasë disa prej inxhinierëve më të mirë të saj”./ Corriere della Sera
Komente
