Ushtria e Koresë së Jugut lëshon disa raketa gjatë stërvitjeve të përbashkëta me ushtrinë amerikane në Seungjin, Korenë e Jugut, 25 maj 2023.

Koreja e Jugut synon ta lëshojë satelitin e parë spiun në fund të këtij muaji

6 Nëntor 2023, 10:18| Përditesimi: 6 Nëntor 2023, 10:19

  • Share

Koreja e Jugut tha të hënën se synon ta lëshojë satelitin e parë spiun të ndërtuar nga dora e vet në fund të këtij muaji, në mënyrë që ta vëzhgojë më mirë Korenë e Veriut, e cila po e rrit arsenalin e armëve bërthamore.

Vetëm pak ditë më parë, Koreja e Veriut dështoi në zotimin e saj për të tentuar për herë të tretë ta lëshojë satelitin gjurmues në tetor, me gjasë për shkak të telasheve teknike.

Jeon Ha Gyu, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes të Koresë së Jugut, tha të hënën se sateliti i parë spiun i ushtrisë së vendit do të lëshohet nga Baza e Forcave Ajrore të Kalifornisë, Vadenberg, më 30 nëntor.

Sateliti do të bartet nga raketa Falcon 9 e kompanisë SpaceX. Në kontratën e saj me SpaceX, Koreja e Jugut planifikon t’i lëshojë edhe katër satelitë spiunë deri në vitin 2025, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Koresë së Jugut.

Koreja e Jugut nuk ka satelitë të vet spiunë dhe varet nga satelitet spiunë të Shteteve të Bashkuara për t’i vëzhguar lëvizjet e Koresë së Veriut.

Agjencia e spiunazhit e Koresë së Jugut tha para ligjvënësve se Koreja e Veriut me gjasë po merr mbështetje teknologjike nga Rusia për programin e vet të lëshimit të sateliteve spiunë.

Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës tha se Koreja e Veriut është në fazën finale të përgatitjeve për lëshimin e tretë, i cili mund të jetë i suksesshëm, sipas tij.

Koreja e Jugut, Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë e tjera të huaja besojnë se Koreja e Veriut po kërkon armë të sofistikuara teknologjike nga Rusia për t’i modernizuar programet e veta të armatimit, në këmbim të furnizimit të Rusisë me municion, raketa dhe pajisje të tjera ushtarake për luftën e saj në Ukrainë. Rusia dhe Koreja e Veriut i kanë hedhur këto pretendime./REL

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?