Koreja e Veriut më 1 tetor lëshoi edhe dy raketa balistike në drejtim të Detit të Japonisë. Ky është testi i katërt i raketave që ky shtet ka kryer në javën e fundit.
Ushtria e Koresë së Jugut raportoi për testin, por nuk dha detaje të tjera. Japonia raportoi se raketat udhëtuan 350-400 kilometra dhe arritën lartësinë prej 35-50 kilometrash.
Zëvendësministri i Mbrojtjes së Japonisë është cituar të ketë thënë se raketat kishin një trajektore “të parregullt”.
Disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara ndalojnë Korenë e Veriut që të kryejë testime të raketave balistike. Në maj, Kina dhe Rusia bllokuan një nismë të Shteteve të Bashkuara për të ashpërsuar sanksionet ndaj Koresë së Veriut për shkak të lëshimit të raketave.
Më herët gjatë javës presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, dënoi “obsesionin” e Koresë së Veriut për armët bërthamore, që sipas tij, po privojnë popullin verikorean.
Yoon shtoi se “nëse Koreja e Veriut tenton të përdorë armë bërthamore, do të përballet me përgjigje të fuqishme nga aleanca e Koresë së Jugut me SHBA-në dhe nga ushtritë tona”.
Analistët besojnë se testet e fundit janë përgjigje për ushtrimet e përbashkëta detare midis Koresë së Jugut dhe SHBA-së, por edhe ushtrimeve të tjera, ku është përfshirë edhe Japonia./ REL