Alarm në Seul për shkak të valës së balonave të lëshuara gjatë natës nga Koreja e Veriut. “Objekte të dyshimta po bien në territorin tonë, kini kujdes, mos u afroni, mos i prekni”, paralajmëroi Ministria e Brendshme e Koresë së Jugut në një mesazh drejtuar popullatës. Mbrojtja dërgoi skuadra bombash dhe ekspertë të mbrojtjes kimike dhe bakteriologjike për të verifikuar përmbajtjen. Surpriza: balonat nuk mbanin eksploziv apo lëndë radioaktive, por qese plehrash.
Një sasi e madhe mbeturinash, sepse koreano-veriorët dërguan të paktën 150 balona, të cilat u përhapën në tetë nga nëntë provincat e Koresë së Jugut. Kërkimi dhe grumbullimi doli të ishte më shumë një punë për grumbulluesit e plehrave sesa për ushtarët. Qeset përmbanin mbeturina, shishe plastike, bateri të përdorura, dhe fekale. Për të siguruar që mesazhi fyes të kuptohej mirë, në qese kishin ngjitur etiketa me fjalët "Excrement" (Jashtëqitje) në çantat më të pakëndshme.
Deri më tani, janë gjetur rreth 150 balona plot me mbeturina, disa prej të cilave kanë fluturuar qindra kilometra. Sipas autoriteteve, në orët e vona të pasdites me orën lokale, disa dhjetëra ishin ende duke fluturuar, shkruan Corriere Della Sera.
Alarmi mbetet në fuqi, ekipet ushtarake të rikuperimit po kontrollojnë zonat e fshatit dhe zonat e banuara ku u raportuan balonat. Disa ranë në rrugë në zonën e Seulit, të tjerët arritën shumë më në jug, deri në provincën Gyeongsang.
Qeveria e Koresë së Jugut e quajti veprimin "vulgar si dhe të rrezikshëm". Të dielën Ministria e Mbrojtjes Veriore kishte premtuar se do të "ushtronte një veprim të fortë vetëmbrojtjeje" për t'iu përgjigjur një raundi stërvitjesh ushtarake të kryera nga Forcat Ajrore Jugore. Duke i quajtur aeroplanët kundërshtarë "objekte të pista", deklarata kërcënonte se do të "varroste Jugun në plehra". Nuk ishte një frazë metaforike. Një luftë me balona është zhvilluar midis dy Koreve për dekada.