Foto ilustruese

Koreja e Veriut lëshon raketë ndërkontinentale në ujërat japoneze, mund të godiste territorin e SHBA! Tokio: E papranueshme

18 Nëntor 2022, 08:15| Përditesimi: 18 Nëntor 2022, 11:02

  • Share

Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë balistike ndërkontinentale (ICBM), rrezja e së cilës ishte e mjaftueshme dhe kishte kapacitete për të goditur territorin e SHBA-së. Raketa ra në det afërsisht 210 km (130 milje) në perëndim të Hokkaido, Japoni. SHBA e ka dënuar nisjen e kësaj rakete, ndërsa Koreja e Jugut ka urdhëruar masa më të forta parandaluese kundër Veriut.

Ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut, Choe Son Hui, paralajmëroi të enjten për një përgjigje "më të ashpër" ndaj çdo pranie të shtuar ushtarake amerikane. Në po të njëjtën ditë, lëshoi edhe një tjetër raketë balistike me rreze të shkurtër veprimi. Duke folur nga Bangkoku, ku po zhvillohet forumi Apec, kryeministri japonez Fumio Kishida, duke vënë në dukje mungesën e raportimeve për dëmtime të anijeve apo avionëve tha: "Është absolutisht e papranueshme".

Hedhja e raketës erdhi pas takimit të Presidentit të Koresë së Jugut Yoon Suk-yeol, Presidentit të SHBA Joe Biden dhe kryeministrit të Japonisë Fumio Kishida në Kamboxhia. Të premten, zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Adrienne Watson tha se Biden ishte informuar dhe SHBA do të konsultohej me partnerët. Shtetet e Bashkuara "dënojnë me forcë Republikën Popullore Demokratike të Koresë për testimin e saj të një rakete balistike me rreze të gjatë". Kështu thuhet në një shënim nga Shtëpia e Bardhë.

Koreja e Veriut ka lëshuar më shumë se 50 raketa gjatë dy muajve të fundit, shumica e tyre me rreze të shkurtër. Ndërsa raketat me rreze të gjatë janë më të rralla dhe përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për SHBA-në, pasi raketat janë projektuar për të transportuar koka bërthamore kudo në kontinentin e SHBA-së.

ICBM-ja e fundit e dyshuar u lëshua në orën 10:15 me orën lokale (02:15 GMT) nga Pheniani, thanë shefat ushtarakë në Seul. Ministri japonez i mbrojtjes Yasukazu Hamada tha se raketa kishte rreze të mjaftueshme për të arritur në SHBA.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?