Koreja e Veriut lëshoi disa raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi në ujërat e saj lindore, kanë raportuar vendet fqinje. Testimet janë kryer disa ditë pas përfundimit të stërvitjeve ushtarake mes Koresë Jugore dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat verikoreanët i konsiderojnë si përgatitje për pushtim.
Testimet e raketave janë kryer teksa Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka qenë në Seul për një konferencë. Ekspertët e huaj kanë paralajmëruar për veprime të tilla të verikoreanëve, dhe ashpërsim të retorikës së luftës, para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në Shtetet e Bashkuara.
Kryeministri japonez Fumio Kishida i ka dënuar veprimet e shpeshta të tilla të Koresë së Veriut, duke thënë se testimet raketore kërcënojnë paqen dhe sigurinë e Japonisë, rajonit dhe shoqërisë ndërkombëtare. Edhe ushtria e Koresë së Jugut ka thënë se i ka vërejtur testimet e raketave, dhe këto veprime i ka cilësuar si provokime të qarta që kërcënojnë paqen në Gadishullin Korean.
Edhe SHBA i ka dënuar këto veprime të Koresë së Veriut, duke thënë se ato kërcënojnë fqinjët e Koresë së Veriut dhe që përkushtimi amerikan për të mbrojtur Japoninë dhe Korenë e Jugut është i hekurt.
SHBA-ja ka rreth 80.000 trupa ushtarake në Korenë e Jugut dhe Japoni. Përgjatë stërvitjeve ushtarake mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut, lideri verikorean, Kim Jong Un ka udhëzuar ushtrinë e tij për të rritur përgatitjet për luftë.