Koreja e Veriut ka kryer një tjetër provë me raketa balistike, duke shkelur një premtim bërë presidentit amerikan, Donald Trump, se do të përmbahet nga provat e tilla pas përfundimit të ushtrimeve ushtarake amerikane-koreane.
Presidenti Trump, megjithatë, tha se nuk i sheh provat e fundit të Koresë së Veriut si “shkelje të zotimit”. Para se të largohej nga Washingtoni për të marrë pjesë në takimin e G-7-tës në Francë, presidenti amerikan tha se udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un “ka qenë shumë i drejtpërdrejtë me mua... Atij i pëlqen të provojë raketat, por ne nuk kemi kufizuar kurrë raketat me rreze të shkurtër veprimi”.
Qeveria japoneze raportoi herët të shtunën për provat me raketa. Ushtria e Koresë së Jugut konfirmoi provat disa minuta më vonë, duke thënë se Koreja e Veriut hodhi raketat nga krahina e Hamgyongut jugor në bregdetin e saj lindor.
Një zyrtar i lartë amerikan tha se "Shtetet e Bashkuara i dinë njoftimet “për prova raketore të Koresë së Veriut dhe po e ndjekin situatën. Ne këshillohemi ngushtë me aleatët tanë japonezë dhe jugkorean”
Pas një takimi emergjent, Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Koresë së Jugut shfaqi “shqetësimin” për vazhdimin e provave nga Koreja e Veriut, pavarësisht përfundimit të ushtrimeve ushtarake ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut.
Komente
