Lideri verikorean, Kim Jong Un, vëzhgon lëshimin e një rakete lundruese nga një nëndetëse

Koreja e Veriut teston një raketë të re lundruese

29 Janar, 09:00
  • Share

Lideri verikorean, Kim Jong Un, e ka cilësuar si sukses testimin e një rakete të re strategjike lundruese, që u lëshua nga një nëndetëse. Ai tha se ky testim është moment kyç në ndërtimin e fuqisë detare të shtetit të tij, raportoi media shtetërore e Koresë së Veriut. Peniani ka shpeshtuar testimin e armëve gjatë këtij viti, përfshirë edhe testimin e një “sistemi armësh bërthamore nënujore” dhe një raketë balistike hipersonike, që operon me karburante të ngurta.

Media shtetërore KCNA tha se Kim ka shprehur “kënaqësi të madhe” për testimin e kryer të dielën, “i cili ka një rëndësi të madhe strategjike për zbatimin e planit tonë... për modernizmin e ushtrisë dhe ndërtimin e një force të fuqishme detare”. Lideri verikorean po ashtu ka inspektuar një “nëndetëse bërthamore” dhe ka diskutuar me zyrtarët për ndërtimin e luftanijeve të reja, tha KCNA më 29 janar pa dhënë më shumë detaje.

Sipas Koresë së Veriut, raketa lundruese e testuar të dielën fluturoi për rreth dy orë. Megjithatë, Peniani nuk tregoi se cila ishte distanca që përshkroi raketa. Për dallim nga raketat balistike, testimi i raketave lundruese nuk është i ndaluar sipas sanksioneve aktuale që Kombet e Bashkuara kanë vendosur ndaj Koresë së Veriut. Sipas Koresë së Veriut, gjatë javës u testuan dy raketa Pulhwasal-3-31. Këto lloj raketash janë një gjeneratë e re e raketave lundruese që Peniani tha se ka testuar për herë të parë të mërkurën e javës së kaluar.

Raketat lundruese fluturojnë në një lartësi më të ulët sesa raketat e sofistikuara balistike, dhe bën që këto lloj raketash të mos detektohen lehtë. Është e paqartë aftësia e saktë e Koresë së Veriut sa i përket lëshimeve të raketave nga deti, por ky shtet në të kaluarën ka lëshuar raketa nga anije më të vjetra, por jo nga nëndetëset./REL

 

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?