Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol

Koreja Jugore dhe SHBA lëshojnë raketa si paralajmërim për Korenë Veriore

6 Qershor 2022, 09:40| Përditesimi: 6 Qershor 2022, 09:42

  • Share

Koreja Jugore dhe Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar të hënën tetë raketa, si përgjigje ndaj raketave balistike që ka lëshuar Koreja Veriore një ditë më parë.

Ky veprim vjen pasi, Pheniani vazhdon të përshkallëzojë testet e tij raketore. Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol tha se qeveria e tij do të përgjigjet me ashpërsi ndaj çdo provokimi nga fqinji i saj verior.

‘Ne do të sigurohemi që të mos ketë asnjë rrezik për jetën e njerëzve dhe pronës sonë’- tha ai.

Duke folur në një ngjarje përkujtimore të luftës në Seul, ai shtoi se programet bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut "po arrijnë nivelin që kërcënojnë jo vetëm paqen në Gadishullin Korean, por edhe në Azinë Verilindore dhe në botë", sipas Yonhap.

SHBA dhe Koreja e Jugut mbajnë rregullisht stërvitje të përbashkëta ushtarake, të cilat shpesh zemërojnë Korenë e Veriut.

Të hënën herët, disa orë pasi Koreja e Veriut kishte lëshuar disa raketa në brigjet e saj lindore, të dy aleatët lëshuan tetë sisteme raketore taktike të ushtrisë tokë-tokë (ATACMS) - një nga SHBA dhe shtatë nga Koreja e Jugut.

Analistët thonë se këto lëvizje janë që Koreja e Jugut të tregojë muskujt e saj, me ndihmën e armatimit amerikan.

Është shfaqja e dytë hakmarrëse nga SHBA-ja dhe Koreja e Jugut brenda javës, pasi një lëvizje e ngjashme u bë javën e kaluar pasi Pheniani gjuajti një seri raketash menjëherë pas vizitës së presidentit amerikan Joe Biden në rajon.

Shfaqje të tilla kishin qenë të rralla nën administratën e mëparshme të Koresë së Jugut.

Presidenti Yoon, i cili mori detyrën muajin e kaluar, është zotuar të marrë një qasje më të ashpër ndaj Koresë së Veriut.

Shteti i izoluar komunist ka testuar dhjetëra raketa në muajt e fundit, duke përfshirë një raketë balistike ndërkontinentale për herë të parë në pesë vjet.

OKB-ja e ka ndaluar Korenë e Veriut nga testet e armëve balistike dhe bërthamore dhe ka vendosur sanksione të rrepta pas testeve të mëparshme.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?