Koreografi Gjergj Prevazi: Arti dhe kultura s'duhet të 'flenë’! (VIDEO)

21 Maj 2020, 12:49| Përditesimi: 21 Maj 2020, 15:29

  • Share

Dansi është i pranishëm në të gjitha kulturat njerëzore! Fillesat e tij në kulturën perëndimore i ka që në kohët e lashta. Por, si rrallëherë për shkak të pandemisë COVID 19 vështirësitë për të kanë qenë të mëdha. Koreografi Gjergj Prevazi rrëfen se si e ka kaluar këtë periudhë

 “Natyrisht që ka qenë një periudhë e paimagjinueshme, edhe me shumë vështirësi, por qenia njerëzore është e përshtatshme. Personalisht i jam dedikuar më shumë leximit të literaturës profesionale edhe letërsisë. Për ne krahasuar me profesione të tjera, relativisht është më e vështirë, kemi të bëjmë me trupin njerëzor. Dansi është një nga aktivitetet shpirtërore, fizike, që kërkon shoqërizimin e njerëzve. Kështu ka lindur. Dansi ka bërë bashkë njerëzit në prehistori e deri në ditët tona”, rrëfen koreografi, i cili shton se ai vet personalisht është përqendruar më shumë në teoritë e koreografisë, duke stimuluar edhe studentët.

“Jemi përpjekur që të mos lëmë mënjanë nevojën tonë për të bërë art, por edhe nevojën e shoqërisë që të kultivojë art këtë periudhë. Së pari, duhet të them se në këtë situatë do të doja që të solidarizohesha me të gjithë artistët, se gjithkush nga ne është gjendur në një situatë të paimagjinueshme, që të çon dhe në veprime të pamenduara. Gjithçka bazohet tek improvizimi, dhe gjithçka bëhet mirë e diçka jo, kur je në improvizim”.

Prevazi mendon se shoqëria në këtë periudhë e ka mëse të domosdoshme që të kultivojë art, sikundër është e domosdoshme që mos të shkurtohen fondet në këtë sektor.

“Institucionet artistike shqiptare, sikundër edhe ato europiane, duhet të riaktivizohen, duke përshtat programet edhe strategjitë e tyre në këtë situatë. Në vende të ndryshme mendohet që institucionet të hapen në shtator, në Itali në dhjetor, por ajo që do të nënvizojë me të madhe është që, mos të jenë fondet e kulturës të parat, që do të reduktohen në krizën ekonomike që pritet”, pasi sipas koreografit, fatkeqësisht kështu ka ndodhur gjithmonë, në ccdo krizë ekonomike, në kulturë reflektohet e para. “Kultura s’është, edhe s’mund të jetë aktivitet qejfi, por është një nevojë e domosdoshme, që ka lindur dhe ka jetuar dhe kur njerëzit kanë qenë në fillimet e veta në komunitete primitive. Nuk ka se si në kohët moderne, të mos respektojnë këtë qasje të vjetër sa vet shoqëria njerëzore”, vijon artisti, i cili dikton se fondet e kulturës duhet të rikonceptohen dhe ripërshtaten në bazë të rrethanave.

 “Mundet që artistët të krijojnë kushte në formacione të vogla, të bëjnë performanca në hapësira të hapura. Qëndrimi në stajnacion, në kushte pritjeje nuk është një qëndrim, që shkon paralel me funksionin, që ka kultura në përgjegjësi edhe arte të veçanta në veçanti”.

Koreografi sugjeron që artistët të mos presin vetëm nga institucionet.

“Në këtë moment do sugjeroja që askush mos të rrijë duarkryq, një mentalitet i trashëguar tek ne ky që vazhdon të pres së çfarë do i ofrojë institucioni, por është koha për një aktivitet të zhdërvjellët. Institucionet janë përpjekur online, por nuk e di nëse është e mjaftueshme apo s’është. Ne duhet të shkojmë se çfarë ndodh në BE me kulturën, në të gjithë sektorët? Vet artistët si sillen me situatën edhe çfarë prodhojnë? Arti nuk është një përgjigje e drejtpërdrejtë e realitetit, ka nevojë për një lloj inkubimi, që ta reflektojë një situatë të caktuar. Por, arti dhe kultura nuk duhet të flenë, por të jenë aktiv në funksionin, që vet shoqëria u ka diktuar”.

Koreografi Gjergj Prevazi gjatë periudhës së pandemisë, në bashkëpunim me balerinët e rinj ka realizuar disa performanca koreografike online.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?