Korkuti: Arkeologjia në alarm, po shkatërrohet arti shkëmbor i parahistorisë

16 Mars 2019, 08:08| Përditesimi: 16 Mars 2019, 08:27

  • Share

“Pikturat dhe gdhendjet shkëmbore ruajnë kujtimet e shoqërive prehistorike në të njëjtën mënyrë si katedralet dhe muzeumet arkeologjikë ruajnë dëshmitë për shoqërinë urbane”, shkruan arkeologu i njohur italian, Emanuel Anati.

Dhe pikërisht këto dëshmi, që rrezikohen të zhduken, gjenden me shumicë në të gjithë hapësirën gjeografike të vendit tonë, e shtrihen shumë më përtej deri në Mal të Zi e Kroaci, e duke qenë simotra me të tjera zbulime në Ballkan e Europë, rrëfen në një intervistë për “Shqiptarja.com”, arkeologu i njohur Muzafer Korkuti. Të shënuara me të njëjtën skemë, të vizatuara me të njëjtat kode piktorike, shpesh e më shpesh bie në sy një gjahtar i hipur në kalë me shigjetë në dorë, para tij një dre (kaproll)  dhe pas drerit qeni i gjahut. Gjithashtu, arkeologu Korkuti dhe kolegët e tij, duke nisur që nga vitet ‘60 kanë zbuluar shenja të tjera si ato që shënojnë njeriun, diellin, pikat e vedosura në simetri, rrathë e kryqe që përsëriten shpesh e me shpesh. Gjen të vizatuara apo të gdhendura në shkëmbinj skema të tjera nga jeta e përditshme. Pas gjithë këtyre zbulimeve dhe debateve që po bëhen për to, arkeologu i njohur Myzafer Korkuti, ka bërë një studim të veçantë për këtë “gjuhë të koduar” e art të njerëzimit që ka lënë gjurmë në  pikturat shkëmbore në Lepenicë, Rec, Xibër, Bovillë, Tren, e  deri ne Mal të Zi. Sdtudimi i tij pasqyrohet në librin e botuar në gjuhën shqipe dhe angleze që titullohet “Arti shkëmbor në Shqipëri”.

Me rastin e diskutimit rreth këtij libri, arkeologu i njohur Myzafer Korkuti ngre alarmin “se këto piktura po shkojnë drejt shkatërrimit, duke u lënë pa asnjë përkujdesje”. Ngjyrat e bëra me materiale natyrore, herë të kuqe dhe herë të bardha u kanë rezistuar mijëvjeçarëve para erës së re, ndërsa në shekullin e 21-të të erës së re, ato rrezikohen të shkatërrohen.

Profesor Korkuti shpreh shqetësimin e tij, jo vetëm për pikturat e ngjyrosura, por edhe për gdhendjet në shkëmbinjtë tempullorë të prehistorisë. Për analogji, edhe në këta shkëmbinj janë gdhendur grafika të njëjta me pikturat e zbuluara në gryka, mure apo tavane shpellash.

Arkeologu Korkuti është vlerësuar për punën që ka bërë për studimin e artit shkëmbor në Shqipëri në rang boëtror, dhe prej vitesh është anëtar i shoqatës ndërkombëtare të artit historik botëror.

Mediatikisht, neglizhenca ndaj këtyre monumenteve arkeologjike, vandalizimi dhe shkatërrimi që po iu bëhet është bërë i njohur, por asgjë nuk ka ndryshuar.

Ndaj “Shqiptarja.com” i drejton këtë intervistë arkeologut të njohur që të njihet vlera dhe rëndësia e këtyre monumenteve. “Pa njohur vlerën dhe rëndësinë e tyre, edhe apeli publik që do t’ua drejtojmë institucioneve nuk do të zërë vendin e duhur”, shprehet Myzafer Korkuti për “Shqiptarja.com”. Po cila është rëndësia dhe vlera e monumenteve prehistorike në vendin tonë? Le të ndjekim intervistën me akademikun dhe arkeologun e njohur Muzafer Korkuti, përmes së cilës na përcillen njohuritë bazë dhe të vërtetat shkencore “për këtë kapital intelektual të njerëzimit”, siç shprehet vet ai.

Intervista

Profesor Korkuti, në librin tuaj “Arti Shkëmbor në Shqipëri”, ju na njihni me ilustrime shumë interesante të pikturave të zbuluara nga ju dhe arkologë të tjerë në një territor të gjerë shqiptar. Çfarë vlere ka zbulimi i tyre?

-Zbulimi dhe më pas përshkrimi i hollësishëm i pikturave të Lepenicës, të Rubikut, të Vlashnjёs, i vizatimit të Reçit, të Xibrit, si dhe i pikturës së Bovillës e tё Trenit në këtë libër na mundëson nxjerrjen e disa përfundimeve për të gjitha veprat e artit shkëmbor të zbuluara në Shqipëri e më gjerë. Dhe pas konkluzioneve që marrim, duke vëzhguar e krahasur zbulimet proces pas procesi, krahasuar edhe me të dhënat e zbulimeve që janë bërë në botë, dalim në disa konkluzione, ku kemi konstatuar se: së pari, vendi ku janë bërë këto vepra ka një pozicion dominues mbi gjithë territorin dhe në shumicën e rasteve në lartësi të konsiderueshme nga niveli i detit. Tipik është pozicioni i strehës së Lepenicës, i shkëmbit të Xibrit, të Trenit, të Bovillës, etj. Së dyti, midis  masiveve shkëmbore ka një zgjedhje që ka ardhur si rezultat i njohjes shumë të mirë të formacioneve shkëmbore. Pikturat janë bërë në shkëmbinj që i takojnë formacioneve të tercialit, që kanë një fortësi të qëndrueshme nga agjentët atmosferikë dhe formojnë faqe të lëmuara, siç është shkëmbi i Spilesë afër Trenit, shkëmbi i Xibrit, i Reçit, i Bovillës, etj. Gjithashtu konstatojmë se shkëmbinjtë e zgjedhur për realizimin e pikturave shkëmbore gjenden në afërsi të vendbanimeve, në një distancë që mund të shkohet në rastet ceremoniale, p.sh., shkëmbi i Spilesë është gjysmë km larg vendbanimt të Trenit, piktura e Vlashnjes gjëndet 1,5 km larg vendbanimit, piktura e Lepenicës është disa kilometra nga shpella e Velçës.

Profesor Korkuti, duke qenë në largësi sot nga zonat e banuara dhe pa asnjë roje, pikturat në këto shpella kanë nisur të dhunohen e të shpërdorohen nga njerëzit. Gjithashtu edhe shkëmbinjtë që mbajnë të gdhendur këtë “gjuhë” të veçantë të arkeologjisë kanë nisur të zhgaraviten apo të shkruhen nga persona të papërgjegjshëm. Cili është komenti juaj për të situatë?

-Arti shkëmbor bën pjesë në rrënjët e qytetërimit, është një kapital intelektual i njerëzimit, ashtu si edhe muzika prehistorike, që u ekzekutua fillimisht me gurë, me pllaka guri, me guaska, më brirë, kocka e drurë të përpunuar, duke qenë faktorë që transformuan shoqërinë. Për këto vepra arkeologjike, jo vetëm unë si arkeolog i vjetër, por e gjithë arkeologjia shqiptare dhe ajo botërore duhet të ngrijnë alarmin për këto dëme të mëdha që iu bëhen zbulimeve arkeologjike, këtij dokumentacioni të drejtëpërdrejtë të njerëzimit që lidhet me zhvillimin e jetës dhe të artit prehistorik në trevat shqiptare dhe më gjerë. Këtu bëhet fjalë për eksistencën e thesareve të Artit Prehistorik, që në të gjithë format e tij ka mundur të mbёrrijë deri në ditët tona. Këto thesare janë pjesё e memories sё popujve, e banorëve prehistorikё, janë pjesë e evolucionit të shoqërisë njerëzore. Arti shkëmbor prehistorik është ashtu si edhe “muzika prehistorike, tingujt e harmonizuar e ekzekutuar në fillim me gurë e pllaka guri, me guacka, me brirë, kocka a drurë të përpunuar, duke u bërë faktorë transfromues të shoqërisë. Arti dhe “muzika prehistorike”  bëjnë pjesë në rrënjët e qytetërimit, janë kapital intelektual i njerëzimit. Dhe këtu bëhet fjalë për një art që nuk fillon në epokën klasike po shumë më herët. Në Afrikë e Australi arti shkëmbor i ka fillimet 50000-40000 vjet më parë. Në Europë, si në Francë e Spanjë, ai fillon rreth 30000 vjet më parë me kulturën Aringacien e Magdalenien, kurse  në Itali fillimet e kёtij arti i takojnë periudhës 12000-10000 vjet më parë me artin shkëmbor në Valcamonika në Italinë e Veriut. Në Shqipëri, sot për sot, veprën më të hershme të artit shkëmbor kemi pikturën e Lepenicës, që i takon epokës së neolitit të vonë dhe eneolitit, e bëhet fjalë për afërsisht 3500-2500 vjet para erës së re.

Ruajtja, njohja dhe studimi i artit shkëmbor në Shqipëri çfarë rëndësie imediate kanë?

-Këto gjurmë janë baza e njohurive të para që të nxisin për njohje të mëtejshme. Ende nuk njohim vendbanimet prehistorike në afërsi të pikturës së Rubikut, të Bovillës, të Xibrit e të Reçit. Të para në shpërndarjen gjeografike, vërehet se çdo njëri nga realizimet e artit shkëmbor i takonte një zone të caktuar. Piktura e Lepenicës gjendet në Shqipërinë Jugperëndimore, piktura e Trenit në Shqipërinë Juglindore, piktura e Bovillës në Shqipërinë e mesme, piktura e Rubikut në Shqipërinë e brendshme veriperëndimore, incizimi i Xibrit në Shqipërinë e brendshme qendrore, incizimi i Reçit në Shqipërinë Verilindore dhe piktura e Vlashnjёs pak kilometra jashtë kufirit Verilindor të Shqipërisë. Këto cilësi të zgjedhjes së vendit, të pozicionit të shkëmbit e  të vetë faqes apo strehës ku njeriu prehistorik ka realizuar veprën e artit, nuk janë të rastësishme, po rezultat i një njohjeje të plotë e të thellë të mjedisit që e rrethonte. Duke zgjedhur ata shkëmbinj që veçoheshin nga të tjerët për madhështinë natyrore, njeriu ka ditur të krijoj një raport me madhështinë e forcën e tyre. Aty ato janë bërë si faqet e librit, biblioteka tempuj të hapura, ku në mënyrë të sintetizuar e tё abstraguar, njeriu prehistorik arriti të fiksojë e të përjetësojë në faqet e shkëmbinjve konceptet mistiko-religjioze, të flasë me gjuhën e artit monumental me piktograme e ideograme.

Si e shpjegoni ngjashmërinë e shumicës së pikturave shkëmbore me bojë ose në reliev nëpër territore të ndryshme, kur gjenden në distanca të paparashikueshme për të emigruar në ato kohërat njerëzit?

-Në përmbajtje, në motivet e mjetet shprehëse, në ideogramet, veprat e artit shkëmbor të epokës së holocenit janë të njëjta ose mjaft të përafërta. Kështu, rrethi me katër a më shumë rreze është ideogrami kryesor që i bashkon, ai  është i pranishëm në Rubik, në Reç, në Xibër, në Bovillë. I tillë është edhe motivi i kryqit, i realizuar në përmasa të ndryshme në Reç, në Xibër e nё  Rubik. Figura antropomorfe qё zë një vend qendror në pikturën e Lepenicës, është kryesore edhe në pikturat e Rubikut dhe pjesërisht në mënyrë të zbehtë në incizimin e Reçit. Përdorimi i pikave në  plotësim të figurave është piktogrami që e ndeshim në Lepenicë e Rubik. Figurat e çrregullta gjeometrike janë piktograme që vёnë në lidhje të drejtpërdrejtë Lepenicën me Rubikun dhe me Reçin. Shenja të këtij piktogrami ka edhe në Reç. Ideograme të veçanta ka piktura e Vlashnjes, me motivin e spirales apo të spirales dyfishe. Prezenca e figurave zoomorfe është në paraqitjen e drerit  në Vlashnje dhe në Tren.

Duke i parë këto piktura të ilustruara në librin tuaj, të habit teknika e ngjyrave, të cilat nuk janë zbehur edhe pse kanë kaluar 3500 vjet apo 2500 vjet para erës së re. Si ka mundësi?

-Në realizimin e veprave të artit shkëmbor janë përdorur dy teknika, ajo e pikturimit me bojë të kuqe si në Lepenicë e Vlashnje; me bojë të bardhë si në Rubik e Bovillë, e Tren dhe teknika e incizimit (gërvishtjes së thelluar) e përdorur në Reç e Xibër. Midis shtatë realizimeve të artit shkëmbor, ka edhe veçanti që shprehen në konceptimin e përmbajtjes dhe në cilësinë e realizimit. Kështu, piktura e Lepenicës veçohet për karakterin kompleks e monumental të saj dhe për mjeshtëri në realizim. Edhe piktura e Rubikut, me pak motive, ka një përmbajtje të thellë. Vizatimi i Reçit, jo vetëm për nga numri i madh i motiveve, por edhe nga zgjidhja kompoziocionale vendosja e figurave në grupe ka tё veçantat e veta. Piktura e Vlashnjes ka të veçantë uniformitetin e simbolit të spirales të bërë në përmasa monumentale e cilësore, që nuk i ndeshim as në një nga pikturat e tjera. Piktura e Trenit veçohet nga të gjashtë pikturat e tjera, sepse është një kompozim, një skenë e plotë gjuetie  me figura reale, si kalorësit me qentë që ndjekim drerin. Si e tillë ajo përfaqëson fazën më të zhvilluar të artit prehistorik të realizuar brenda kritereve që kërkonte bërja e një vepre të artit shkëmbor.

Edhe pse në dukje primitive, vizatimet ruajnë një lloj uniformiteti sikur të jenë shprehje e një “kodi të caktuar”, si është e vërteta, si interpretohen nga ju apo arkeologë të tjerë?

-Për të kuptuar e interpretuar më mirë dhe për të datuar artin shkëmbor të vendit tonë, na vijnë në ndihmë elementet e përbashkëta që vihen re, të pranishme edhe në artin shkëmbor të vendeve të tjera. Gjeografikisht më afër është piktura e Lipcit, po jo vetëm kaq. Afëritë pёrkojnё në zgjedhjen e vendit, si shkëmbit për pikturim, në paraqitjen e figurave në siluetë, siç duket dreri, në praninë e figurave gjeometrike,  etj., si dhe në realizimin e tyre me të njëjtën bojë të bardhë. Më në veri, në Bosnjёn Perëndimore është piktura e Zlijebit, gjithashtu e konceptuar e realizuar me të njëjtët parametra. Eshtë bërë në faqen e një shkëmbi ku shkohet me vështirësi e që ka në përmbajtje figura të njëjta antropomorfe si Lepenica, të kombinuara me ideograme dhe të bëra me bojë të bardhë.  Në territorin tjetër të Ballkanit (për aq sa e njohim) figurat antropomorfe të Lepenicës e Rubikut kanë analogji vetëm me figurat antropomorfe të Tsoga-rit në Maqedoninë greke. Me vlerë të veçantë janë padyshim ngjashmëritë me artin shkëmbor të Valcamonica në Italinë e Veriut, ku gjatë epokës së neolitit, eneolitit, bronzit e hekurit, lindi, u zhvillua e lulëzoi një art shkëmbor i përfaqësuar nga dhjetёra e mijëra motive e figura të thjeshta e të kompozuara, me skena nga më të ndryshmet. Dhe në këtë shumësi ideogramesh e piktogramesh të artit të Valcamonica gjejnë simotrat e tyre motivet e figurat e artit tonë shkëmbor si figurat  antropomorfe, figurat gjeometrike me shumë ndarje, përdorimi i simbolit të pikës, kryqi me krahë të barabartë, rrethi me shumë rreze, motivi i spirales dhe figura zoomorfe, si dreri dhe kali.

Çfarë konkluzioni jep tërësia e këtyre ngjashmërive që përshkruat më sipër?

-Tërësia e këtyre ngjashmërive është shprehje e koncepteve mistiko-religjioze të përbashkëta, dëshmi e stadit të njëjtë të zhvillimit shoqëror. Piktura e Lepenicës, e Rubikut, e Bovillës, e Trenit, e Vlashnjes, incizimi i Reçit e i Xibrit, si edhe piktura e Lipcit dhe ajo e Zhlijebit karakterizohen nga një tog elementesh të përbashkëta, janë vepra të artit shkëmbor të bëra në kufirin kohor nga mijëvjeçari i katërt në mijëvjeçarin e parë para erës së re. Në vështrimin gjeografik të kohës antike, ato i takojnë territorit të Ilirisë së Jugut. Për përkatësinë ilire të pikturës së Trenit ne jemi shprehur dhe kemi argumentuar pikëpamjen tonë të mbështetur në karakterin ilir të kulturës së vendbanimit të Trenit, banorёt e të cilit kanë qenë krijuesit e saj. Studjuesit që kanë trajtuar pikturën e Lipcit, që i takon mijëvjeçarit të dytë e mijëvjeçarit të parë para erës së re, kanë shfaqur mendimin edhe për bartësit e saj. Sipas tyre ajo i takon një popullsie autoktone ilire ose protoilire, e cila kishte vende të shenjta në qiell të hapur dhe tё tilla  ishin edhe vizatimet shkëmbore që i kanë rrënjët tek zakonet e vjetra autoktone, sipas Garašanin-it. 

Pikturat e Trenit dhe  tё Lipcit  janë krijime të popullsisë autoktone ilire. Veprat e tjera të artit shkëmbor, të cilat kronologjikisht janë më të herëshme, problemi i përcaktimit të bartësve të tyre dhe ai i një datimi më të cilësuar mbetet i diskutueshëm. Në një zgjidhje sa më të pranueshme të problemit na vijnë në ndihmë dy përfundime të rëndësishme historike e arkeologjike: së pari, territori i Ballkanit Perëndimor gjatë  epokës së bronzit e tё epokës së hekurit u karakterizua nga një vazhdimësi kulturore dhe etnike, që, si rezultat edhe i  faktorëve të tjerё, çoi në formimin e kulturës e të etnosit ilir  dhe së dyti: veprat e artit shkëmbor janë krijime të popullsive me jetëgjatësi banimi në të njëjtat territore, d.m.th. të popullsive autoktone, në kuptimin relativ. Këto janë dy arsye që na mundësojnë të shprehemi se piktura e Rubikut, e Bovillës, e Vlashnjёs, si edhe incizimi i Reçit e i Xibrit, që u krijuan në territorin e Ballkanit Perëndimor, janë vepër e popullsisë protoilire, paleoilire ose e një substrati etnokulturor më të hershëm, të po atij territori, ku në epokën historike jetonin ilirët e jugut.

G.M.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Fredi: 16/03/2019 18:16

    E vetmja mbrojtje që mund të bëhet eshte rrethimi i këtyre vendeve ( dhe shpallja e tyre si zona arkeologjike ku ndalohet hyrja pa kriter e njerëzve sepse besoj se shkatërrimet mund të bëhen vetëm nga njeriu injorant dhe neglizhenca ) , ku këto kryevepra gjenden. Shkatërrimet mund të vijnë dhe nga koha.. Eurozioni nuk i shkatërroi dot deri tani por ku i dihet pas 10.000 vjetëve psh.. Megjithatë vende të tjerë që kanë bukuri të tilla, i mbrojnë zonat ku gjenden këto kryevepra. Këtë duhet të bëjë dhe vendi ynë duke lënë eurozionin të bëjë të tijën..

    Përgjigju
  • Edvin Stefani: 16/03/2019 10:45

    A ka qene vete nr Tren akademiku? A mos i referohet ai vizatimit ne muzeun kombetar? (Ae ne fakt eshte riprodhuar nga dikush qe nuk ka qene atje). Gjuetari eshte gervishtje, jo boje e bardhe. Kjo eshte aq evedente sa ne fakt vizatimi dallohet me qaerte ne perendim per shkak se kendi i rrezeve perkon me mire me perthyerjen qe jep shkembi..edhe kjo foto edhe ajo e librit tim (qe e bera vet) jane perpunuar grafikisht.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?